
Të paktën katër persona kanë humbur jetën, pesë të tjerë janë plagosur, ndërsa mbi 100 mijë familjeve u është kërkuar të evakuohen. Autoritetet japoneze e kanë cilësuar situatën si “të paprecedentë”, pasi në disa zona janë regjistruar mbi 100 milimetra shi në vetëm një orë.
Reshjet e dendura shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje dheu, ndërsa më shumë se 20 mijë familje mbetën pa energji elektrike.
Autoritetet lëshuan fillimisht alarmin e nivelit 5, shkalla më e lartë e emergjencës, i cili të premten u ul në nivelin 4. Mes viktimave është edhe një grua që humbi jetën pasi automjeti i saj u përmbyt në një rrugë të mbuluar nga uji. Dy persona të tjerë u gjetën në rrugë dhe më pas u konfirmua vdekja e tyre.
Kaosi ka përfshirë edhe transportin. Rreth 7 mijë udhëtarë mbetën të bllokuar gjatë natës në aeroportin ndërkombëtar Narita të Tokios, ndërsa mijëra të tjerë u detyruan të kalonin natën në stacione dhe ndërtesa publike.
Rreth 1,800 persona u strehuan në godinën e qeverisë së prefekturës Chiba. Disa linja hekurudhore vijojnë të jenë të pezulluara, ndërsa segmente të autostradave kryesore janë mbyllur.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë shpjegoi se fenomeni ekstrem u shkaktua nga depërtimi i ajrit të ngrohtë dhe shumë të lagësht në lindje të vendit, i cili u përplas me masa të ftohta ajrore në lartësi, duke krijuar kushte atmosferike jashtëzakonisht të paqëndrueshme.


