
Rami Mislimi:
Artan Grubi vazhdon të mbetet një nga emrat më të komentuar në Maqedoninë e Veriut. Që nga largimi i tij nga vendi, rreth një vit e gjysmë më parë, e deri te rikthimi i tij dhe zhvillimet e fundit me propozim-aktakuzën nga Prokuroria, emri i tij ka qenë vazhdimisht në qendër të mediave dhe opinionit publik.
Grubi është komentuar në çdo tavolinë shqiptare, por edhe në mesin e qytetarëve maqedonas. “Ishte i fortë kur iku, u bë edhe më i fortë kur u kthye”. Janë disa nga komentet që dëgjohen shpesh në tavolina dhe debate mes njerëzve.
Por sot nuk dua të komentoj rikthimin e tij. Nuk dua të flas për fuqinë politike që kishte, as për figurën e tij, e as të ardhmen e tij politike apo vendimin e Prokurorisë.
Sot dua të flas për heshtjen e funksionarëve të BDI-së ndaj Artan Grubit.
Shumica e funksionarëve të lartë të BDI-së nuk kanë dalë publikisht të thonë se Artan Grubi është i pafajshëm. Nuk kanë thënë se ai nuk e ka shkelur ligjin. Nuk kanë thënë se çështja për të cilën ai përballet me Prokurorinë lidhet me një vendim kolektiv të Qeverisë, të votuar nga 20 ministra.
Kurrë një status në rrjetet sociale, kurrë një fotografi në shenjë mbështetjeje, kurrë një deklaratë, kurrë një fjalë, as edhe një shkronjë.
E pse?
Askush nuk ka kërkuar nga BDI-ja dhe funskionarët e saj të ndikonjë në Prokurori. Askush nuk kërkon nga funksionarët e saj të ndikojnë në Gjykatë. Askush nuk kërkon që një parti politike të vendosë në vend të drejtësisë.
Drejtësia është punë e institucioneve, por atëherë lind pyetja:
Ku është dinjiteti njerëzor? Ku është njerëzillëku? Ku është solidariteti me një njeri me të cilin për vite të tëra kanë ndarë pushtetin, vendimmarrjen dhe përgjegjësinë politike?
Pse shumica e funksionarëve të BDI-së nuk kanë thënë asnjë fjalë publike?
Pse kanë frikë, nga kush kanë frikë?
Çfarë ju pengon funskionarëve të BDI-së të shtrojnë publikisht pyetjen. “Nëse bëhet fjalë për një vendim kolektiv të Qeverisë, të votuar nga 14 ministra, pse përgjegjësia po fokusohet vetëm te një person?”
Kjo nuk është ndërhyrje në drejtësi, kjo nuk është presion mbi Prokurorinë, kjo nuk është ndikim mbi Gjykatën.
Kjo është mbështetje morale, kjo është forcë, ky është dinjitet.
Sepse është shumë e lehtë të jesh pranë dikujt kur ai është i fuqishëm. Është shumë e lehtë të jesh në fotografi me të kur ai është në pushtet. Është shumë e lehtë ta quash mik, bashkëpunëtor dhe bashkëpartiak kur ai ka ndikim.
E sot nuk thatë asnjë fjalë për Grubin, atëherë çfarë presim ne qytetarët nesër?



