LajmeRajon

Kurti: Zgjedhja e kryeparlamentarit dhe formimi i qeverisë nuk janë sfida, sfidë është zgjedhja e presidentit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti ka deklaruar se “zgjedhja e kryeparlamentarit dhe formimi i qeverisë nuk janë sfida, sfidë është zgjedhja e presidentit”.

Kurti, në një deklaratë për mediat, ka përsëritur qëndrimin se presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë një figurë konsensuale, e mbështetur nga një shumicë sa më e gjerë parlamentare dhe shoqërore.

“Ju e keni parasysh që qëndrimi i LVV-së si fituese e zgjedhjeve është që presidenti/presidentja e ardhshme të jetë konsensuale me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në popull. Të jetë personalitet që ka merita dhe kontribut, vlera kombëtare qytetare, por gjithashtu edhe i dëshmuar në profesion e shoqëri dhe përveç kësaj dëshirojmë të merremi vesh në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet e reja”, theksoi Kurti.

Sipas tij, një marrëveshje për presidentin duhet të arrihet paraprakisht për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe formimi i qeverisë nuk janë sfida, sfidë është zgjedhja e presidentit. Jemi duke bërë hapa që të vijmë te emri i presidentit”, shtoi ai.

 

– “Jemi të hapur për të bërë diskutime”

“Jemi të hapur për të bërë diskutime shteruese që të vijmë deri tek emri apo emrat, të cilët do t’ju japim nënshkrimet të kandidojnë dhe të zgjidhen më pastaj. Dikush që është jashtë skenës aktuale politike, jashtë polemikave ditore partiake dhe që është figurë unifikuese, sepse në Kushtetutën e Kosovës shkruan që Presidenti i Republikës duhet të jetë shprehje e unitetit të popullit”, ka theksuar Kurti.

Duke folur rreth deklaratës së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, Kurti tha se do të preferonte që LDK-ja të bëhej pjesë e bashkëqeverisjes.

“Unë besoj që LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje, ta kemi një marrëveshje politike. Nuk është e thënë të jetë identike me rezultatin e zgjedhjeve 53 me 18, por edhe deformimi i rezultatit nuk mund të jetë. Pra, me 18 deputetë ta marrësh kryetarin e Kuvendit nuk është pak”, tha ai.

Tutje ai shtoi se kur e panë që nga LDK-ja nuk janë të interesuar për kryetarin e Kuvendit “oferta jonë qysh në pranverë është ripërsëritur tani”. “Me fjalë të tjera, nëse Vetëvendosja do ta kishte kandidatin për president, e ju e dini që ishte Glauk Konjufca, atëherë LDK-ja ta marrë zëvendëskryeministrin dhe katër ministri”, u shpreh Kurti duke shtuar:

“Ndërkaq, nëse kandidati për president është konsensual, ta marrë zëvendëskryeministrin dhe tri ministri”.

 

– “Ne duhet të kalojmë te emrat konkretë”

Kryeministri në detyrë, Kurti tha se “nuk është pak” që kreu i LDK-së, Abdixhiku, të jetë zëvendës i tij në qeveri.

Kurti ka bërë të ditur se u ka shkruar krerëve të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), me kërkesën që të takohen dhe të diskutojnë për zgjedhjen e presidentit. “Ne duhet të kalojmë te emrat konkretë”, tha ai.

Të premten, më 7 gusht, përfundoi afati 30-ditor për konstituim të Kuvendit të Kosovës, megjithatë, vazhdimi i seancës së nisur të enjten u mbajt të shtunën. Në të dy seancat e fundit kryetari i subjektit më të madh politik, LVV, Kurti, kërkoi më shumë kohë për të negociuar me partitë tjera për çështjen e presidentit.

Pas deklaratave të Kurtit, partitë opozitare organizuan protesta, gjatë të cilave kryeministri Kurti u sulmua me vezë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close