
Autoritetet ruse njoftuan sot se 51 dronë u rrëzuan mbi rajonin e Leningradit në një sulm gjatë natës pranë Ust-Lugas, një qendër kryesore e eksportit të naftës.
Guvernatori i Leningradit, Alexander Drozdenko tha në Telegram se autoritetet fillimisht njoftuan një kërcënim me dronë në të gjithë rajonin ndërsa operacionet e mbrojtjes ajrore kishin nisur.
Ai tha më vonë se 15 dronë “armiq” ishin rrëzuar, me numrin që më pas u rrit në 37 ndërsa operacionet vazhdonin.
Në një përditësim të mëtejshëm, Drozdenko theksoi se gjithsej 51 dronë ishin rrëzuar mbi rajonin e Leningradit.
“Si pasojë e dëmeve është shënuar një zjarr në portin e Ust-Lugës”, deklaroi ai duke thënë se “Ekspertët filluan shuarjen e zjarrit. Luftimet vazhdojnë”.
Guvernatori më vonë njoftoi se kërcënimi me dronë ishte eliminuar.

