
Kënga “Firework”, një nga hitet më të njohura të Katy Perry, është bërë shkak për një reagim të fortë të këngëtares ndaj Shtëpisë së Bardhë. Artistja akuzon administratën amerikane se e përdori këngën pa lejen e saj në një video në TikTok me pamje të operacioneve ushtarake amerikane.
“Nuk e kam miratuar këtë, nuk më është kërkuar leje dhe nuk e toleroj absolutisht”, shkroi ajo.
“Të përdoret një mesazh vetëvlerësimi dhe inkurajimi si sfond për shkatërrim dhe dhunë është një shkelje e plotë e gjithçkaje që përfaqëson kjo këngë”, tha këngëtarja.
Në fund të reagimit, ajo shtoi: “Muzika ime është krijuar për të bashkuar njerëzit, jo për të festuar luftën”.
Sipas TMZ, videoja e publikuar nga llogaria e Shtëpisë së Bardhë në TikTok shfaqte pamje nga operacione ushtarake amerikane, përfshirë një sulm ndaj një objekti të paidentifikuar dhe shpërthimet që pasuan, pa dhënë kontekst për ngjarjen.



