LajmeMaqedoniTopLajm

INSPEKTORATI I MJEDISIT NË GJAH PAS NDOTËSVE

ANA PETROVSKA: HIDROCENTRAL I VOGËL NDËRTOHET SHUMË AFËR BURIMIT TË LUMIT SHKUMBIN

Ushtruesja e detyrës së Inspektoratit për ambient jetësor, Ana Petrovska, paralajmëron se ka shumë lëshime gjatë dhënies së lejeve për ndërtim ose koncesioneve për gjetjen e burimeve natyrore, duke theksuar si shembull një nga hidrocentralet e vogla që ndërtohet që Malin Sharr, shumë afër burimit të lumit Shkumbin, që paraqet rrezik për ndotjen e ujit për pije në Tetovë. Gjithashtu edhe koncesioni për shfrytëzimin e rërës se lumit në lumin Pçinja, për të cilin kanë reaguar banorët e fshatrave Konjare e Poshtme dhe e Mesme. Që në mënyrë efikase t’u ndërpritet rruga ndotësve të ajrit dhe shkelësve të tjerë, inspektorati shtetëror, i cili për momentin disponon vetëm me pesë inspektorë, pret zgjerim me të paktën tetë të punësuar, thotë Petrovska.

Me dokumentacion të djegur, pas zjarrit në hapësirat e Inspektoratit Shtetëror për ambient jetësor dhe me vetëm pesë inspektorë të punësuar, ushtruesja e detyrës, drejtoresha Ana Petrovska thotë se do të jetë “Punë e Sizifit” që t’u ndërpritet rruga të gjithë atyre që kontribuojnë në ndotjen e ajrit, ujit dhe shkaktimit të dëmit tjetër në ambientin jetësor në vend. Me vetëm një vizitë në Malin Sharr, ku ndërtohen disa hidrocentrale të vogla, Petrovska thekson se është vërtetuar rrezik potencial për ujin që e pinë tetovarët.

ANA PETROVSKA, INSPEKTORATI SHTETËROR PËR AMBIENT JETËSOR

“Kemi konstatuar se ajo që është në fazën më të përparuar ndërtimore dhe që është e lokalizuar më lart në mal, afër lumit Shkumbin, ka mundësi potenciale për ndotje të ujërave për furnizim të qytetit të Tetovës, sepse në afërsi të burimit kanë filluar ndërtimet. Do t’i rishikojmë të gjitha dokumentet që janë dhënë deri më tash nga organet kompetente që të parandalojmë ndotjen e mëtejshme të ujit dhe shkatërrimin e natyrës.”

Lëshime të kryera nga ana e Ministrisë së ekonomisë janë konstatuar gjatë dhënies së koncesionit, i vjetër rreth 10 vite, për shfrytëzimin e rërës në lumin Pçinja.

ANA PETROVSKA, INSPEKTORATI SHTETËROR PËR AMBIENT JETËSOR

“Kufiri i koncesionit të lumit nuk gjendet 50 metra nga lartësia më e madhe e nivelit të ujit, por gjendet, sipas asaj që e kemi parë në terren, nuk kemi matur, këtë duhet ta përcaktojnë gjeometrët, 50 metra nga vija e bregut të lumit. Që do të thotë se mënyra në të cilën është dhënë koncesioni nuk është në përputhje me Ligjin për ujëra. Këto janë elemente që ne në mënyrë të vendosur do t’i hetojmë.”

Banorët e fshatrave Konjare e Poshtme dhe e Mesme disa herë kanë protestuar kundër shfrytëzimit të rërës, duke pohuar se kjo i vë në rrezik shtëpitë e ndërtuara afër lumit, se shkatërrohet natyra, por edhe ekzistenca e tyre, siç deklaruan për Tv Klan Maqedoni.

BANOR I KONJARES SË MESME

“Bujqësia jonë është shkatërruar për shkak të dhënies së këtyre koncesioneve për shfrytëzim. Sepse niveli i ujit ka rënë, lagështia ka humbur për nga këto toka, nëse më parë merrnim 5 tonë drithëra në një hektar, tani as 2 tonë nuk mund të ketë. Më parë korrnim tërfil nga 6 herë, tani 2 herë, edhe ajo është ulur 50%. Blegtoria është 90% e shkatërruar. Për një kompani është shkatërruar gjithë fshati. Të gjithë të rinjtë janë larguar për shkak të kësaj.”

Petrovska, prej pak kohësh ushtruese e detyrës drejtoreshë e Inspektoratit për ambient jetësor, thekson se për momentin inspektorati disponon vetëm me dokumentacion elektronik nga e kaluara, ndërsa arkivi fizik është shkatërruar plotësisht në zjarrin para dy muajve. Pret që ekipi prej 5 inspektorëve të përforcohet me të paktën 8 punësimë të reja, me qëllim që deri diku të jenë efikase përpjekjet për uljen e ndotjes së ajrit, në Shkup por edhe në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. /KlanMacedonia

Related Articles

Back to top button
Close
Close