
Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, akuzoi tifozët e Manchester United për mungesë klasi, pasi disa prej të pranishmëve në “Old Trafford” kishin brohoritur këngë fyese ndaj nënës së sulmuesit të City-t, Phil Foden, gjatë derbit të Manchesterit të dielën, që përfundoi 0-0.
“Ishte një demonstrimi mungese klasi, por nuk ka të bëjë me Manchester United si klub, por me njerëzit. Është mungesë respekti dhe ata duhet të ndihen të turpëruar. Por kjo ndodh kudo, do të thosha, jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, por gjithandej,” tha Guardiola.
Trajneri spanjoll beson se tifozët e United e kanë tepruar duke përfshirë në sulmet e tyre nënën e futbollistit të përfaqësueses angleze.
Foden, 24 vjeç, është në një seri prej 13 ndeshjesh pa gol dhe ka shënuar vetëm 10 herë në 40 ndeshje, ndërsa mbrojtja e titullit të City-t në Premier League ka dështuar. Por Guardiola e mbrojti lojtarin e tij.
“Kur skuadra nuk luan në nivelin që kemi pasur, duket sikur askush nuk është ai që ishte më parë. Unë e shoh pasionin dhe buzëqeshjen në fytyrën e tij çdo ditë në stërvitje dhe kjo është ajo që dua. Ndikimi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm dhe ai do të rikthehet,” tha Guardiola.



