Sekretari organizativ i BDI-së, Artan Grubi ka vazhduar me kritikat e tij ndaj koalicionit parazgjedhor ASh-AAA-VMRO-DPMNE-së.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Grubi tha se mezi pret ta sheh ditën kur “votuesit e Aleancës për Shqiptarët me gjithë zemër do të votojnë për VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit (ish kryeministrit – azilant në Hungari) dhe Hristijan Mickoskit (liderit aktual të VMRO-DPMNE-së).
“Ju thashë, “Koalicioni 27” e quajnë në rrjete sociale. Ai është koalicion i ndarjes dhe jo i bashkimit. Koalicion i “Shkupi 2014” dhe jo Shkupit të një tërësie apo të përbashkëtës sonë. Mezi pres ta shoh ditën kur të gjithë votuesit e Aleancës me gjithë zemër, me tërë entuziazmin, me tërë dashuri do të votojnë për VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit dhe Hristijan Mickoskit dhe e kundërta. Të gjithë ata patriotë të VMRO-DPMNE-së, të gjithë ata që hynë më 27 prill (2017) në Kuvend, të gjithë ata që e përkrahin “Shkupi 2014″ do të votojnë me bindje të madhe, me gjithë zemër për Ziadin Selën dhe Aleancën. Mezi pres ta shoh 17 tetorin”, tha Grubi, transmeton TV21.