
Pronarë migrantë të bizneseve në qytetin lindor gjerman Magdeburg mbyllën dyqanet e tyre në shenjë proteste ndaj retorikës ksenofobe të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) për “riemigrimin”, në prag të zgjedhjeve rajonale, raporton Anadolu.
Greva e migrantëve, ose “Migra-Streik”, bëri që bizneset pjesëmarrëse të qëndronin të mbyllura nga ora 10:00 deri në 15:00 sipas kohës lokale, përfshirë markete ushqimore, floktore dhe restorante.
Sipas organizatorëve, në protestë morën pjesë më shumë se 120 pronarë biznesesh.
“Po i mbyllim dyert tona sot, në mënyrë që nesër të mos mbyllen dyert e një shoqërie të lirë dhe demokratike”, tha Këshilli i Refugjatëve të Saksonisë-Anhaltit në një deklaratë në mbështetje të protestës.
Këshilli tha se aksioni u nxit nga “përvojat e racizmit dhe përjashtimit social”, si dhe nga një debat më i gjerë politik që gjithnjë e më shumë vë në pikëpyetje nëse disa banorë i përkasin Gjermanisë.
Sipas këshillit, kjo prek veçanërisht personat e lindur jashtë vendit ose me prejardhje migrante, përfshirë ata që kanë jetuar prej vitesh në vend dhe kontribuojnë në komunitetet lokale dhe ekonomi.
“Kërkesat për dëbime masive dhe largimin e personave me histori migrimi nga shoqëria jonë po shkaktojnë frikë dhe pasiguri te shumë persona me prejardhje refugjate dhe migrante”, tha këshilli.
“Pronarët e bizneseve të përfshirë nuk dëshirojnë të heshtin për këtë çështje”, shtoi ai.
“Duke mbyllur vullnetarisht bizneset e tyre, ata po i bëjnë publikisht të dukshme perspektivat dhe shqetësimet e tyre dhe po dërgojnë një sinjal paqësor dhe demokratik”, theksohet më tej.
AfD-ja, parti kundër imigracionit, kryeson sondazhet në prag të zgjedhjeve rajonale në Saksoni-Anhalt, ku votuesit do të zgjedhin parlamentin dhe qeverinë e re të landit.
Në programin e saj zgjedhor, partia synon një “kthesë 180-gradëshe” në politikën e migracionit dhe një fushatë agresive për dëbime dhe të ashtuquajturin “riemigrim”.
Sondazhi i fundit nga Pollytix e rendit AfD-në në 43 për qind, e ndjekur nga Unioni Demokristian i kancelarit Friedrich Merz me 23 për qind, Partia e Majtë me 13 për qind dhe Partia Socialdemokrate me 7 për qind.
Të Gjelbrit janë pranë pragut prej 5 për qind të nevojshëm për të hyrë në parlament, ndërsa BSW-ja e majtë populiste parashikohet të marrë 4 për qind.
Megjithëse AfD-ja kryeson në sondazhe, ajo nuk është e sigurt se do të sigurojë shumicën. Shpërndarja përfundimtare e mandateve do të varet pjesërisht nga fakti nëse partitë më të vogla do ta kalojnë pragun prej 5 për qind.
Forca e AfD-së vazhdon pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga politikanët kryesorë dhe autoritetet e sigurisë për prirjet e saj ekstremiste.
Agjencia gjermane e inteligjencës së brendshme, BfV, i ka klasifikuar degët rajonale të AfD-së si organizata të dëshmuara të ekstremit të djathtë, duke thënë se pjesë të partisë promovojnë një kuptim racist dhe etnik të identitetit kombëtar, i cili është i papajtueshëm me rendin kushtetues demokratik të Gjermanisë.



