LajmeMaqedoni

220 milionë euro në vit për sigurimin shëndetësor të pensionistëve, thotë drejtori i FSPI-së

Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor (FSPI) çdo vit transferon rreth 13.7 miliardë denarë, ose më shumë se 220 milionë euro, në Fondin për Sigurim Shëndetësor për sigurimin shëndetësor të pensionistëve, thotë drejtori i FSPI, Nikola Memov. Ai propozon që në të ardhmen kjo kosto të mos financohet nga kontributet pensionale të punonjësve aktualë.

Sipas Memovit, FSPI aktualisht për sigurimin shëndetësor të pensionistëve ndan një shumë në masën 11.8 për qind të pensioneve neto të paguara.

Deri më 31 dhjetor 2025, kjo normë ishte 13 për qind.

“Në nivel vjetor, kjo shumë arrin në 13.7 miliardë denarë, përkatësisht mbi 220 milionë euro”, thotë Memov.

Ai thekson se paratë sigurohen nga kontributet për sigurimin pensional dhe invalidor që paguajnë të siguruarit aktualë dhe vlerëson se ky model përbën një barrë shtesë për FSPI.

“Këtu duhet të ketë ndryshim dhe të gjendet një mënyrë tjetër për financimin e sigurimit shëndetësor të pensionistëve, dhe jo siç është tani, që të financohet nga kontributet për sigurimin pensional”, thotë Memov.

Sistemi pensional në Maqedoninë e Veriut, në shtyllën e parë, funksionon mbi parimin e solidaritetit ndërmjet gjeneratave. Kjo do të thotë se kontributet e të siguruarve aktualë përdoren për financimin e të drejtave të pensionistëve aktualë.

Norma e kontributit për sigurimin pensional dhe invalidor është 18 për qind e pagës bruto, ndërsa te të siguruarit në sistemin me dy shtylla, gjashtë pikë përqindjeje transferohen në shtyllën e dytë.

Propozimi i Memovit për momentin nuk do të thotë se sigurimi shëndetësor i pensionistëve do të kushtojë më pak.

Ai propozon ndryshimin e burimit nga i cili sigurohen këto 220 milionë euro, në mënyrë që një pjesë e mjeteve që aktualisht ndahen nga FSPI të mbeten në fondin pensional.

Drejtori i FSPI deri tani nuk ka specifikuar nga cili burim tjetër do të siguroheshin paratë, nëse do të ndryshohej modeli aktual i financimit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close