FITOJNË SHKËNDIJA DHE STRUGA TRIM LUMI

Xhiroja e 5-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut ka rezultuar e mbarë për dy skuadrat shqiptare Shkëndijën e Tetovës dhe Struga Trim Lumin. Kuqezinjtë e Ernest Gjokës mposhtën 3:0 në transfertë Bellasicën, në një përballje ku tetovarët dominuan takimin që nga fillimi e deri në fund. Totre në të 53-tën hapi serinë e golave, ndërsa më pas Besart Ibraimi realizoi dy herë nga penaltia për fitore 3:0 të ekipit të tij. Në anën tjetër Struga Trim Lumi mundi 2:0 Sileksin, ndërsa golat e fitores për vendasit u shënuan nga Lena dhe Milenkovski. Ndërkohë xhiroja e 5-të në elitën e futbollit vendor kompletohet të dielën me 4 takime të tjera. Vardari përballet me Shkupin, Renova takohet me Rabotniçkin, Pelisteri gostit Makedonija Gjorçe Petrovin, ndërsa Boreci do t’i matë forcat me Akademia Pandevin.