LajmeMaqedoni

Bekim Sali: Turqia ishte dhe mbetet partner i sigurt në rrugën tonë evropiane

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, tha se Turqia ishte dhe mbetet partner i sigurt në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Sali foli në hapjen e Programit të Trajnimit për Menaxhimin e Ciklit të Projekteve në kuadër të iniciativës “IPABRIDGE”, i cili zhvillohet në Shkup nga 28 deri më 31 korrik 2026.

Në fjalimin e tij, ministri Sali shprehu mirënjohje të veçantë për Qeverinë e Turqisë, Drejtorinë për Çështjet e Bashkimit Evropian (BE) dhe partnerët turq për mbështetjen e vazhdueshme, bashkëpunimin e sinqertë dhe gatishmërinë për të ndarë ekspertizën dhe përvojën praktike.

“Turqia ishte dhe mbetet partner i sigurt në rrugën tonë evropiane. Mbështetja e saj në forcimin e kapaciteteve administrative dhe institucionale ka rëndësi të veçantë për përgatitjen e vendit tonë për detyrimet që dalin nga anëtarësimi i ardhshëm në BE”, theksoi Sali.

Programi i trajnimit përfshin tema të rëndësishme si menaxhimi i ciklit të projekteve, kuadri financiar IPA III, analiza e palëve të interesuara, kuadri logjik, buxhetimi, monitorimi dhe raportimi. Qëllimi është forcimi i njohurive dhe aftësive praktike të administratës për përgatitjen dhe zbatimin më cilësor të projekteve të financuara nga BE-ja.

Ministri Sali theksoi se bashkëpunimi me Turqinë do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe do të zgjerohet më tej përmes aktiviteteve të përbashkëta, shkëmbimit të ekspertizës dhe iniciativave për forcimin e kapaciteteve institucionale.

“Presim që ky partneritet të vazhdojë të zhvillohet dhe të sjellë rezultate konkrete për institucionet tona dhe për qytetarët”, përfundoi ministri Sali.

Related Articles

Back to top button
Close
Close