
Interi është shumë pranë transferimit të mbrojtësit anglez John Stones si lojtar i lirë, por drejtuesit zikaltër vazhdojnë të punojnë edhe për afrimin e kapitenit të Tottenhamit, Cristian Romero, për të forcuar repartin defensiv.
Sipas raportimeve të Football Italia, Interi ka arritur marrëveshje verbale me Stones për një kontratë dyvjeçare deri në verën e vitit 2028. Mbrojtësi 32-vjeçar mbeti pa klub pas përfundimit të kontratës me Manchester Cityn dhe pritet të përfitojë rreth katër milionë euro neto në sezon.
Megjithatë, drejtuesit e klubit nga Milano nuk e konsiderojnë të mbyllur repartin e mbrojtjes. Objektivi kryesor vazhdon të jetë Cristian Romero, për të cilin Interi ka nisur kontaktet me Tottenhamin dhe përfaqësuesit e futbollistit argjentinas.
Romero mbetet një transferim shumë më i vështirë për t’u realizuar për shkak të kostos së lartë dhe konkurrencës nga klube të tjera, ndërsa afrimi i Stones si lojtar i lirë do t’i jepte Interit përvojë dhe alternativa në prapavijë pa shpenzime për kartonin e tij.



