
residenca turke tha se Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, i tha homologut të tij rus, Vladimir Putin, se Turqia nuk i njeh hapat kundër integritetit territorial të Ukrainës, pasi Rusia e njohu pavarësinë e Luhanskut e Donetskut.
Njohja e këtyre dy rajoneve nga Rusia ka nxitur reagime dhe sanksione nga vendet perëndimore. Turqia, anëtare e NATO-s, ka lidhje të mira edhe me Ukrainën, edhe me Rusinë, por i kundërshton sanksionet në parim. Turqia gjithashtu ka bërë ofertë për të ndërmjetësuar në këtë krizë dhe ka paralajmëruar kundër konfliktit ushtarak.
Përmes një bisede me telefon, Erdogani i tha Putinit se askush nuk do të përfitonte nga konflikti ushtarak në rajon dhe e përsëriti ofertën e tij për të ofruar ndihmë për arritjen e një zgjidhjeje, tha zyra e tij. Erdogani gjithashtu tha se e vlerëson bashkëpunimin e ngushtë të Putinit për çështjet rajonale dhe se dëshiron që ta vazhdojë këtë, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Më herët, Erdogani citohet të ketë thënë se Turqia nuk mund t’i braktisë marrëdhëniet e saj as me Ukrainën, as me Rusinë.
“Presidenti Erdogan, i cili e përsëriti thirrjen e tij që çështja të zgjidhet përmes dialogut, deklaroi se është me rëndësi që diplomacia të vihet në krye dhe që (Turqia) ta vazhdojë qëndrimin e saj konstruktiv edhe në NATO”, tha zyra e presidentit turk.



