BotaLajme

Çfarë do të bënte Biden, nëse Putin do të përdorte armët bërthamore? Ekspertët ushtarakë tregojnë opsionet që i ka në tavolinë presidenti amerikan

Është një pyetje shqetësuese pa përgjigje të këndshme: çfarë do të bënte presidenti amerikan Joe Biden, nëse Rusia do të përdorte armë bërthamore në luftën e Ukrainës?

Gjysma e zyrtarëve aktualë dhe ish-qeveritarë kanë dhënë opinione lidhur me këtë çështje, kurse disa ekspertë të jashtëm i thanë NBC News se ka pasur mosmarrëveshje, dhe se nuk parashihet kurrfarë manuali se çfarë duhet bërë dhe se si do të duhej të kundërpërgjigjeshin SHBA-të ndaj një akti shkatërrues, që mund të zhdukte qytete të tëra të Ukrainës, të kishte vrasje të dhjetëra mijëra njerëzve dhe retë bërthamore nga përdorimi i armëve të lëviznin drejt vendeve të NATO-s në Evropën Perëndimore, transmeton Telegrafi.

Kjo nuk është diçka e re për administratën e Bidenit, Në fakt, kur administrata e Barack Obamas simuloi një lloj lufte ku rusët kinse përdorin armët bërthamore në Baltik, pati mosmarrëveshje thelbësore se si duhet reaguar.

Zyrtarët e inteligjencës amerikanë thonë se nuk kanë parë asnjë shenjë se presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të përdorë të ashtuquajturat armë bërthamore të fushëbetejës, por disa versione të doktrinës ushtarake ruse të botuara nga viti 2000, kanë parashikuar përdorimin e parë të armëve bërthamore si një përgjigje ndaj kërcënimit konvencional në një luftë rajonale.

Ekspertët ushtarakë thonë se kokat më të vogla bërthamore të Rusisë, kanë shumë më shumë fuqi shpërthyese sesa bombat e hedhura në Hiroshima dhe Nagasaki.

Derisa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të dërgojnë armë gjithnjë më të sofistikuara të dizajnuara për të ndihmuar Ukrainën të shkatërrojë forcat pushtuese ruse, zyrtarët amerikanë i thanë NBC News se administrata e Bidenit ka menduar për muaj të tërë për atë që Putini mund të bëjë – dhe skenarët e lojërave të luftës që parashikojnë Rusinë duke përdorur një bombë atomike në Ukrainë.

“Nuk po shohim prova praktike në këtë pikë të planifikimit rus për vendosjen apo edhe përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore”, tha muajin e kaluar drejtori i CIA-s, William Burns.

Megjithatë, ai shtoi se “duke pasur parasysh llojin e zhurmës që është dëgjuar nga udhëheqësia ruse, nuk mund të merren edhe me shumë relaks”.

NBC News ka biseduar me gjysmën e zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarë që janë të informuar mbi këtë çështje, dhe disa ekspertë të jashtëm. Zyrtarët aktual nuk pranuan të flasin zyrtarisht, duke përmendur ndjeshmërinë e temës.

Është e drejtë të thuhet se përgjigja amerikane “do të varej nga mënyra se si rusët i përdorin armët bërthamore”, siç thoshte një zyrtar i SHBA-ve rregullisht gjatë diskutimit në qeverinë amerikane.

Një demonstrim mbi Detin e Zi duke qëlluar? Një goditje ndaj trupave ukrainase në një zonë të largët? Apo skenarë shumë më provokues, siç do të ishte një goditje shkatërruese në një qytet të madh të Ukrainës apo një sulm bërthamor mbi një vend që është anëtar i NATO-s?

Menyja e opsioneve amerikane është e “larmishme”, zyrtarët dhe ekspertët e jashtëm thonë: Vazhdoni rrugën me sanksionet dhe vazhdoni të armatosni ukrainasit, derisa ndërtoni një koalicion ndërkombëtar kundër Rusisë që e izolon plotësisht këtë vend: të fillojë një sulm ushtarak konvencional ndaj forcave ruse në Ukrainë ose Rusi; ose përgjigjuni me një sulm bërthamor. Nëse një vend i NATO-s nuk goditet, SHBA-të nuk kanë asnjë detyrim që të përgjigjen.

Disa zyrtarë ushtarakë dhe të inteligjencës i thanë NBC News, se besojnë se nuk ka gjasa që SHBA të hakmerret ushtarakisht, pas përdorimit të ashtuquajturës armë bërthamore taktike në Ukrainë nga ana e rusëve. Të tjerët thonë se Bideni do të duhej të lëshonte një lloj force konvencionale, ndoshta duke sulmuar trupat ruse në Ukrainë ose njësinë ushtarake ruse që lansoi armën bërthamore, një opsion që mund të kishte pasoja serioze, pasi udhëheqësit ushtarakë rusë do të mund të vriteshin.

“Nëse Rusia do të përdorte çfarëdo lloji të armës bërthamore, “pres që (presidenti) të thotë se jemi në një situatë të re, dhe se SHBA-të do të hyjnë drejtpërdrejt në luftë kundër Rusisë për të ndalur këtë qeveri që jo vetëm ka thyer shumë ligje ndërkombëtare, por ka shkelur të drejtat e njeriut dhe tani po shkel tabunë e armëve bërthamore”, tha Evelyn Farkas, ish-zyrtare e lartë e Pentagonit për çështjet me Rusinë dhe tani drejtoreshë ekzekutive e Institutit McCain.

Por dy zyrtarë amerikanë të informuar për këtë çështje nuk u pajtuan, njëri thoshte: “nëse ata i përdorin ndaj NATO-s, ne ndoshta nuk do të përgjigjemi ushtarakisht”.

Sipas këtij mendimi, Biden nuk do të rrezikonte përshkallëzimin e një lufte bërthamore në shkallë të gjerë, që do të çonte në shkatërrimin e qyteteve amerikane.

Por, ai edhe mund të mos ketë nevojë, e derisa Putini do të mbështetej në armë bërthamore, ekspertët besojnë se shumica e vendeve tjera në botë – përfshirë vende që janë pranë “gardhit” të konfliktit aktual – do të ktheheshin shpejt kundër që ta izolonin Rusinë.

“E gjithë bota do ta ndalte”, tha Joseph Cirincione, ekspert bërthamor dhe bashkëpunëtor i shquar në Institutin Quincy.

Zyrtarët amerikanë dhe ata perëndimorë të sigurisë kombëtare thanë për NBC News, se nuk ka pasur asnjë shenjë se Rusia ka nxjerrë armët taktike bërthamore nga magazinat. Zyrtarët e inteligjencës kanë thënë se Putini do të shqyrtonte opsionin e armëve bërthamore vetëm nëse beson se regjimi i tij është në rrezik.

Por dy zyrtarë amerikanë, duke cituar vlerësimet e inteligjencës amerikane, thonë se disa nga rrethi i ngushtë i Putinit, e kanë inkurajuar të testojë një armë bërthamore si një shfaqje e fuqisë, gjatë momenteve kur forcat e tij konvencionale po kanë probleme në Ukrainë. Zyrtarët thanë se ekziston shqetësimi i vazhdueshëm se Putin mund të zgjidhë këtë opsion nëse beson se Rusia është mbështetur në një qoshe.

Putini vendosi forcat bërthamore të Moskës në gatishmëri të lartë menjëherë pasi filloi pushtimi i tij në Ukrainë gjatë 24 shkurtit, dhe paralajmëroi se “askush nuk duhet të ketë dyshime se një sulm i drejtpërdrejt ndaj vendit të tij do të çonte në shkatërrim dhe pasoja të tmerrshme për çdo agresor të mundshëm”.

Por zyrtarët amerikanë i thanë NBC News, se nuk kanë parë ndonjë ndryshim të lëvizjeve të tij nga ajo kohë. Në prill, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi Perëndimin të mos nënvlerësonte rreziqet e ngritura të konfliktit bërthamor në Ukrainë. Mbështetësit e Putinit në televizionin shtetëror rus, javëve të fundit kanë folur haptazi për një luftë bërthamore me SHBA dhe Evropën.

E tëra kjo vjen si pasojë e doktrinës bërthamore ruse që ka evoluar në atë që zyrtarët perëndimorë e konsiderojnë si tejet shqetësuese. Në një dokument të vitit 1993, Rusia thuhet se do të përdorte armët bërthamore vetëm kur ekzistenca e vendit do të kërcënohej. Por në versionet e publikuara nga viti 2000, Rusia rezervon të drejtën e përdorimit të armëve bërthamore si një përgjigje ndaj çdo arme të shkatërrimit në masë, që përdoret për të sulmuar Rusinë dhe aleatët e saj.

Doktrina gjithashtu lejon përdorimin e armëve bërthamore si “një përgjigje ndaj agresionit në shkallë të gjerë, duke përdorur armë konvencionale në situata kritike për sigurinë kombëtare të Federatës Ruse”.

Ekspertët e kanë përshkruar atë strategji si “një përshkallëzim për të “depërshkallëzuar”, dhe thonë se kjo nënkupton që Rusia është e gatshme të përdorë në mënyrë të kufizuar armët bërthamore për të fituar në një luftë konvencionale.

Në dokumente, doktrina bërthamore e SHBA-ve është e ngjashme, por në terma praktikë, ekspertët nuk besojnë se një president amerikan do të përdorte ndonjëherë armë bërthamore në një luftë konvencional rajonale, dhe SHBA-ja këtë nuk e ka bërë në Kore, Vietnam, Afganistan e Irak.

Zyrtarët thonë se qëllimi kryesor i arsenalit bërthamor të SHBA-ve është pengimi ose përgjigja e një sulmi bërthamor nga një kundërshtar. Megjithatë, SHBA-të nuk e kanë përjashtuar përdorimin e armëve bërthamore si një përgjigje ndaj sulmeve biologjike ose kimike në disa rrethana të kufizuara të sulmeve konvencionale. Ky vend akoma ruan rreth 100 armë bërthamore në vendet e NATO-s, që janë vendosur atje për të parandaluar tanket ruse të “kapin” Evropën Perëndimore. /Telegrafi/

Related Articles

Back to top button
Close
Close