
Babai i Edon Zhegrovës, Lulzimi është bërë pjesë e partisë politike në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai do të jetë edhe kandidat për deputet i LDK-së, ndërkaq për këtë vendim të Lulzimit, është shprehur i lumtur edhe futbollisti Edon Zhegrova.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili ka shpërndarë video nga momenti kur Edonit ia kumtojnë lajmin për aderimin e babait të tij në këtë parti politike.
“Lajmin ja kumtuam edhe Edonit. Për të, Lulzimi dhe Sanija kanë qenë gjithmonë forcë mbështetëse në gjithë karrierën mbresëlënëse. Jam i bindur se përvoja e Lulit, do të na shërbejë shumë edhe si vend edhe si shtet. Kjo familje, mbetet model dhe ëndërr e shumë familjeve tjera, që besojnë se një ditë, të vegjëlit e tyre do të jenë lojtarë të ndeshjes kundër Real Madridit, e do të përfaqësojnë ngjyrat e fanelave më të bukura në botë, të Kombëtares së Kosovës!
Lulzim Zhegrova do të jetë pjesë e listës për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit. Lulzimi vjen me një perspektivë unike dhe me energji të re për ta ndërtuar një të ardhme ku çdo i ri i talentuar në Kosovë ka mundësi reale për të realizuar potencialin e tij, si në sport ashtu edhe në jetë”, ka shkruar mes tjerash Abdixhiku.



