
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se raporti i Bankës Botërore, sipas të cilit Maqedonia shënon rritjen më të madhe të trafikut ajror dhe turizmit në Evropë dhe Azi Qendrore, përbën nxitje për punë edhe më të madhe dhe përkushtim të vazhdueshëm.
Ai theksoi se Maqedonia, pavarësisht sfidave globale, ka arritur rezultate rekord në aviacion dhe turizëm – rezultate që janë vlerësuar edhe në analizën e Bankës Botërore.
Sipas Nikolloskit, me një rritje vjetore prej 40% të ardhjeve të pasagjerëve, Maqedonia është veçuar si vendi më i suksesshëm në Evropë dhe Azi Qendrore në këtë fushë.
Ai nënvizoi se masa për subvencionimin e linjave të reja ajrore ka kontribuar në tërheqjen e një numri më të madh turistësh dhe në zhvillimin shtesë ekonomik përmes turizmit.
Si shembull të rezultateve pozitive, Nikolloski përmendi edhe aeroportin e Ohrit, ku në një ditë janë shërbyer mbi 3.000 pasagjerë, çka sipas tij përbën rekord për një aeroport me atë kapacitet.
„Vazhdojmë me edhe më shumë investime në aviacion dhe turizëm“, tha Nikolloski.



