MaqedoniTopLajm

Alternativa neutrale për kandidatët nga pushteti! Hoxha: Le të përcaktohen, nëse s’kanë nevojë për votat tona në Çair

Alternativa do të jetë neutrale në komunat ku kandidatët u takojnë partive politke në pushtet. Kështu deklaroi mbrëmë në Click Plus Zeqirja Ibrahimi i Alternativës, sipas të cilit Besa nuk mund të kërkojë vota nga opozita. E për këtë u përgjigj sot sekretari gjeneral i Besës, Arjanit Hoxha.

“Kur flasim për hipokrizi, z.Ibrahimi duhet të tregojë se si kandidati i tyre në Studeniçan ende është drejtor i një institucioni të pushtetit qendror? Para se të kandidojë në zgjedhje, a i ka thënë se duhet të tërhiqet nga ky post? Në qoftë se nuk kanë nevojë për votat tona në Çair, mbetet që vetë ata ta përcaktojnë këtë brenda politikave të tyre. Ne mbesim fuqishëm  në përcaktimin tonë së bashku me Aleancën për shqiptarët ta fitojmë BDI-në në komunat ku marrim pjesë në rrethin e dytë”, deklaroi Arjanit Hoxha – Sekretar Gjeneral i Lëvizjes Besa.

Ibrahimi mbrëmë tha se Besa mund t’i kërkojë vetëm votat e pushtetit e nëse i duan votat e opozitës  le të dalin nga Qeveria, shtoi ai.

 

A mund të rezultojë kjo marrëveshje me një shumicë të re parlamentare të cilën e synon shefi i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski? Hoxha thotë se këto janë zgjedhje lokale dhe se legjitimiteti për shumicë të re vjen nga zgjedhjet parlamentare. Mbetet për t’u parë pas zgjedhjeve si do të ecin punët, thekson ai.

“Mbetet të shihet pas zgjedhjeve si do të zhvillohen ngjarjet dhe si do të lëvizë skena politike pastaj. Kjo që po ndodh nuk është hera e parë. Në vitin 2017 ne ishim opozitë, ndërsa Aleanca për shqiptarët ishte në pushtet dhe atëherë kishim bashkëpunim të ngjashëm. Kjo nuk është diçka që duhet të komentohet në drejtime të tilla. Flasim për zgjedhje lokale në interes të pushtetit lokal”, shtoi Sekretari gjeneral i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha.

Besa dhe Aleanca për shqiptarët arritën marrëveshje për mbështetje të ndërsjellë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën. Kjo do të ketë ndikim kyç në garën për kryetar komune në Tetovë mes Bilall Kasamit dhe Teuta Arifit, si dhe në Gostivar mes Arben Taravarit dhe Nevzat Bejtës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close