LajmeMaqedoniTopLajm

Ahmeti: I ndihmuam shtetit që të ecë në rrugën e drejtë dhe tani po hapim kapituj të rinj

Tubim zgjedhor në sheshin e Tetovës mbajti Bashkimi Demokratik për Integrim, i kryesuar nga bartësi në njësinë e gjashtë zgjedhore Ali Ahmeti dhe kandidati për kryeministër Naser Zyberi. Lideri i partisë Ahmeti tha se me idetë e tyre në këto zgjedhje po krijojnë histori të re.

“Të gjithë flisnin NATO, NATO, NATO ja hymë edhe në NATO. Tani ecim përpara që të krijojmë histori të re. E ndihmuam këtë shtet që të ecë në rrugën e drejtë dhe tani po hapim kapituj të rinj. Ne kemi dinjitet dhe me të gjitha kapitujt që i kemi hapur në plan ekonomik, me hyrjen në NATO, integrimet evropiane. Por unë nuk dua që të harrohet ky ofendim të cilin e dëgjova sot dhe u trondita. Ofendimi për ‘pesë para’ dhemb shumë, por kemi kaluar shumë, UDBA dhe udbashë dhe shumë padrejtësi, ne nuk kemi prej se të frikësohemi kemi orientim dhe qëllim dhe dëshirojmë ta realizojmë. Për këtë do t’iu tregojmë më 15 korrik dhe le ta shohim se kush jemi ne”, theksoi Ahmeti.

Në tubim folën edhe kandidatët për deputetë në njësinë e gjashtë zgjedhore, si dhe Naser Zyberi, kandidat për kryeministër nga radhët e BDI-së.

“Kaluam shumë vende dhe unë e shoh se kjo ide që erdhi nga Ali Ahmeti doli prej shqiptarëve dhe është e pranishme te të gjithë në Maqedoninë e Veriut. Kjo na jep garanci se do ta fitojmë mandatin. Unë mund t’ju premtoj se do të sundojë e drejta. Nuk do të ketë asgjë jashtë kornizave juridike. Do të punojmë në sferën e ekonomisë, të ketë punë për të rinjtë, në arsim të ketë shkolla të reja. Kur ta lëmë funksionin do të jemi faqebardhë. T’iu bëjmë thirrje maqedonasve që të votojnë për ne nuk do t’iu mungoj asgjë, nuk do t’iu mohohet asnjë e drejtë, do të ketë barazi për të gjithë, mos u frikësoni nga BDI-ja dhe shqiptarët”, theksoi Zyberi.

Kandidati për kryeministër dhe kandidatët për deputetë realizuan disa takime me banorë të fshatrave të Tetovës, Tearcë, Poroj, Çellopek, Zherovjan, Kamenjan, Reçicë e Madhe dhe Reçicë e Vogël.

Related Articles

Back to top button
Close
Close