
Shërbimi psikologjik nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës, fillon fushatë për ndihmë psikologjike falas dhe mbështetje për pacientët me kovid, njoftuan sot kompetentët nga institucioni shëndetësor. Të interesuarit të cilët kanë nevojë për bisedë me psikolog mund të lenë të dhënat në porosi (emri, mbiemri dhe telefoni për kontakt) në profilin e Fejbukut të spitalit në të cilët do të kontaktohen çdo ditë pune prej orës 12 deri në orën 15. Shërbimi do të jetë falas.
“Të dhënat statistikore tregojnë praninë e problemeve psikoemocionale te një numër i madh i të sëmurëve dhe atyre që e kanë kaluar kovidin. Fushata e cila mbështetet nga ekipi i udhëheqësve të spitalit konkretisht është e drejtuar vetëm kah pacientët e sëmurë dhe ata të cilët e kanë kaluar kovidin dhe ka për qëllim që t’ua lehtësojë barrën psikike”, deklaroi mr. Biljana Ivanovska, psikologe e licencuar nga ISHP Spitali i Përgjithshëm në Kumanovë.
Këta pacientë, shtoi, shpesh përballen me sulme paniku, ankth, frikë nga pasiguria, pasiguri për të ardhmen, komplikime të mundshme nga sëmundja. Shpesh ankohen se nuk mund të marrin frymë, të thithin ajër, kanë rrahje të shpejta të zemrës. Nga spitali sqarojnë se gjithnjë e më i madh është numri i personave të cilët kanë probleme të këtilla, pak pasi të kenë kaluar sëmundjen.
“Është shumë me rëndësi që miqtë, të afërmit t’i kontaktojnë të sëmurët, të bisedojnë duke i shfrytëzuar rrjetet sociale, paraqitjet përmes telefonit. Do të bëja thirrje qytetarët, pacientët të informohen përmes burimeve relevante të informacioneve, faqes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe të mos bien pre e informacioneve të rreme”, tha Ivanovska.
Shërbimi psikiatrik dhe psikologjik, theksoi, edhe më tutje mbeten të kapshëm për të gjithë pacientët përmes “Termini im” dhe të gjithë pacientët mund të kërkojnë ndihmë.



