
Ekipet shpëtimtare indoneziane gjatë skanimit të thellësisë së detit e gjetën nëndetësen e zhdukur “KNI Nangala-402”, që të mërkurën u zhduk në ujërat pranë ishullit Bali, njoftuan mediat britanike, duke iu referuar komandantit të flotës indoneziane.
Sipas tij, për momentin është duke u përgatitur aksioni për evakuimin e të mbijetuarve të mundshëm nga anëtarët e ekuipazhit.
Paraprakisht DPA njoftoi se janë gjetur gjësende të nëndetëses së zhdukur.
“Gjësendet e gjetura janë një shishe lubrifikant dhe një pajise që e mbron silurin”, deklaroi mareshali Hajdi Tjaxhanto.
“Besohet se gjësendet e gjetura në afërsi të lokacionit të fundit të nëndetëses janë pjesë të saj”, shtoi ai.
Paraprakisht, Bi-Bi-Si kumtoi se druan se nëndetësja, me 53 anëtarë të ekuipazhit, mund të humbet përgjithmonë pasi, sipas, zëdhënësit të armatës, në nëndetëse ka pasur oksigjen vetëm deri më sot, deri në orën 3 sipas kohës lokale.
Nëndetësja “KNI Nangala-402” u zhduk të mërkurën, gjatë një stërvitje ushtarake në afërsi të bregut të Balit, ndërsa autoritetet indoneziane filluan kërkimin në të cilin që atëherë u kyçën së paku gjashtë anije ushtarake, një helikopter dhe 400 persona.



