
Pas tre dekadave golgotë dhe dy muaj bllokim të Kuvendit, opozita shqiptare ka arritur zgjidhje për problemin me shtetësinë. Liderët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev kanë njoftuar se është arritur përparim i madh dhe se deri në fund të javës do të jetë gati edhe teksti i propozim ligjit për shtetësi.
Sela dhe Gashi thanë se janë tejkaluar dallimet dhe se çështje të caktuara kanë mbetur për tu shqyrtuar nga ekspertët juridik. Ata thanë se prioritet ka qenë zgjidhja e problemit qoftë edhe për një qytetarë të vetëm. Dy liderët e koalicionit u shprehën të gatshëm që të debllokojnë edhe pakot ekonomike në Kuvend, por vetëm nëse opozita maqedonase tërheq amendamentet kundër ligjit për shtetësi.
Drejtuesit e opozitës shqiptare nuk dhanë detaje nga pikat e marrëveshjes me qëllim që të mos dëmtojnë procesin, duke thënë se gjithçka do të shpaloset kur të jetë gati teksti final.
Arben Zeqiri /SHENJA/



