
Një shtet ndoshta shihet më saktë jo nga ajo që shkruan në kushtetutën e tij, as nga ajo që presidentët e tij thonë përpara ambasadorëve të huaj, por nga arkivoli para të cilit ngre flamurin në gjysmështizë, kujt i rreshton gardën e nderit dhe për kë urdhëron që pushkët të qëllojnë drejt qiellit, sepse nderimet më të larta shtetërore nuk janë thjesht protokoll i destinuar për një trup të vdekur, por një gjykim mbi vlerat që të gjallët ia shqiptojnë vetvetes. Prandaj, paraljmërimi i ministrit të Drejtësisë të Serbisë, Nenad Vujiq, se Ratko Mladiq do të varroset me nderimet më të larta shtetërore, nuk flet më shumë për Mladiqin, biografia e të cilit ka përfunduar me një vendim gjyqësor të formës së prerë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, sesa për Serbinë, e cila edhe një herë përpiqet të vendosë një flamur mes vetes dhe të kaluarës së saj, e bindur se nën të nuk do të shihen as gjaku, as varret masive, as gjashtëmbëdhjetë vjet fshehjeje të një njeriu që nga të tjerët kërkonte të vdisnin, ndërsa vetë nuk pati as guximin të dorëzohej. Ky nuk është vetëm varrimi i një të dënuari, por një ritual me të cilin regjimi përpiqet ta shndërrojë vendimin gjyqësor në padrejtësi, kriminelin në simbol, e simbolin në një tjetër konfirmim triumfal se Serbia është gjithmonë e pafajshme, madje edhe atëherë kur me nderime shtetërore feston pikërisht atë gjë prej së cilës kinse distancohet
Nga Nenad ÇANAK
Ratko Mladiq nuk ka dalë nga kënga e hajdutëve, nuk ka zbritur nga një afresk dhe as nuk e ka marrë gradën nga ndonjë vojvodë mitik serb, siç e paraqet sot ikonografia nacionaliste, por është shkolluar, ushqyer, veshur dhe avancuar nga Jugosllavia socialiste, oficer i betuar i së cilës ishte që nga viti 1965. Ai ishte produkt i Armatës Popullore Jugosllave, i sistemit të saj shkollor, i hierarkisë dhe ideologjisë komuniste, një njeri që karrierën e ndërtoi në Shkup, Shtip, Prishtinë dhe në Knin, duke mbajtur yllin e kuq dhe duke dhënë betimin ndaj një shteti të bazuar në vëllazërim-bashkim. Deri në gradën e kolonelit e solli APJ-ja; në gradën e gjeneral-majorit e avancoi Kryesia e RSFJ-së më 4 tetor 1991, ndërsa në gjeneral-nënkolonel e avancoi i njëjti aparat federal ushtarak, tashmë i cunguar, më 24 prill 1992, vetëm pak javë përpara se, me propozimin e Radovan Karaxhiqit, të vendosej komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Republikës Sërpska. Në qershor të vitit 1994, Karaxhiqi e avancoi në gjeneral-kolonel, ndërsa grada e tij në sistemin e Ushtrisë së Jugosllavisë u konfirmua përmes institucioneve të RFJ-së nën presidencën e Zoran Liliqit. Pra, epoletat e tij përfaqësojnë historinë e saktë të transformimit të tij: të parat ia dha shteti që ai ndihmoi të zhdukej, të tjerat drejtimi politik që përmes luftës krijonte një territor të spastruar etnikisht, ndërsa të fundit Beogradi që pohonte se nuk kishte asgjë të bënte me atë luftë.
Megjithatë, kalimi nga oficeri komunist te gjenerali nacionalist nuk ishte kurrfarë konvertimi shpirtëror, por vetëm një ndryshim fjalori brenda të njëjtit model autoritar: ylli i kuq u hoq nga kapela, por mbetën kulti i forcës, pagabueshmëria e komandantit, përçmimi ndaj individit, fshehtësia e sistemit dhe nevoja që bota të ndahej në të bindur dhe armiq. Në vend të klasës u shfaq populli; në vend të kundërrevolucionarit, myslimani, kroati ose “tradhtari”; ndërsa mbrojtja e dikurshme e shtetit socialist u shndërrua në mbrojtje të territorit etnik, ku njeriu shihej sërish vetëm si material që duhej sistemuar, larguar ose shkatërruar. Dëshmia më e tmerrshme se Mladiqi nuk ishte i pavetëdijshëm për atë që po përgatitej gjendet në vetë fjalët e tij, të shqiptuara më 12 maj 1992 përpara Kuvendit të serbëve të Bosnjës, kur, duke folur për idenë që popullsia të ndahej në mënyrë që në territore të caktuara të mbeteshin vetëm serbët, tha: “Njerëz, ky do të ishte gjenocid.” Pra, ai e njihte këtë fjalë, e kuptonte domethënien e saj dhe e parashikoi natyrën e projektit, e më pas pranoi të bëhej krahu i tij ushtarak. Padituria ndonjëherë mund ta zbusë fajin moral, mashtrimi mund të shpjegojë një zgjedhje të gabuar, por një njeri që e emërton krimin që më parë, e më pas i kushton atij autoritetin, ushtrinë dhe dijen e tij, nuk mund t’i referohet as njërës, as tjetrës.
Dënimi i Ratko Mladiqitit nuk mbështetet mbi një përshtypje politike, një pamje televizive apo një interpretim armiqësor, por mbi 530 ditë gjyqi, 592 dëshmitarë dhe pothuajse dhjetë mijë prova të paraqitura. Trupi gjykues konstatoi se Mladiqi urdhëroi ndarjen e burrave boshnjakë nga gratë, fëmijët dhe të moshuarit në Potoçari, se ishte i pranishëm ndërsa ushtarët e tij e zbatonin atë urdhër, se të burgosurve në Nova Kasaba dhe Sandiqi u thoshte se do të ushqeheshin, strehoheshin dhe shkëmbeheshin, ndonëse tashmë ishte pjesë e planit për shfarosjen e tyre. Në mbledhjen në qendrën komanduese në Bratunac, më 13 korrik 1995, ku ai mori pjesë së bashku me oficerë të Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, njësive të kësaj të fundit iu besua një detyrë e përshkruar në një dokument zyrtar si vrasja e rreth tetë mijë burrave myslimanë të bllokuar pranë Konjeviq Poljes. Vetëm dy ditë më parë, Mladiqi në Srebrenicë kishte thënë se kishte ardhur koha “t’u hakmerreshim turqve”, sikur përballë tij të mos qëndronin njerëz të lindur në shekullin e njëzetë, por kundërshtarë prej kohësh të vdekur nga mitologjia e kryengritjeve, ndërsa në takimet në hotelin “Fontana”, përfaqësuesve boshnjakë u thoshte se populli i tyre mund të “jetonte ose të zhdukej”, përkatësisht “të mbijetonte ose të shuhej”. Trupi gjykues i shkallës së parë arriti në përfundimin se i vetmi konkluzion i arsyeshëm që mund të nxirrej nga urdhrat, veprimet dhe deklaratat e tij ishte se ai kishte qëllimin e posaçëm për të kryer gjenocid, ndërsa Trupi Gjykues i Apelit e konfirmoi këtë konstatim, së bashku me dënimin me burgim të përjetshëm.
Mirëpo, në Srebrenicë nuk u vranë vetëm njerëz, por edhe e vërteta mbi vrasjen e tyre, sepse krimi i organizuar nuk përfundon kurrë me plumbin e fundit, por vazhdon me kamerën, komunikatën, ndalimin e qasjes dhe zhvendosjen e eshtrave. Vendimi gjyqësor përshkruan se si Mladiqi, përpara kamerave, u shpërndante ushqim dhe ujë njerëzve, dëbimin e të cilëve tashmë e kishte organizuar; se si disa ushtarë u jepnin çokollata dhe cigare vetëm për sa kohë që kamera ishte e ndezur, për t’ua marrë pastaj mbrapsht; dhe se si ai urdhëroi që xhirimet t’u shiteshin agjencive të huaja të lajmeve. Ai urdhëroi gjithashtu ndalimin e hyrjes së gazetarëve në zonat e Srebrenicës dhe Zhepës, si edhe ndalimin e dhënies së të dhënave për të burgosurit, refugjatët dhe civilët “e evakuuar”, ndërsa trupat më vonë nxirreshin nga varret primare dhe zhvendoseshin nëpër varre sekondare, për të zhdukur gjurmët. Kështu, kamera u bë pjesë e armatimit, çokollata pjesë e skenografisë, ndërsa fjala “evakuim” u shndërrua në një gropë gjuhësore ku duhej të varrosej fakti se gratë dhe fëmijët u dëbuan, ndërsa burrat u dërguan në vendet e ekzekutimit. Mladiqi nuk komandonte vetëm vrasjen, por edhe imazhin që duhej të mbetej pas vrasjes, dhe kjo ndoshta është forma më e plotë e vetëdijes kriminale: jo vetëm të dish se çfarë po bën, por njëkohësisht të ndërtosh gënjeshtrën me të cilën do të kërkosh që pasardhësit të të nderojnë pikërisht për këtë.
Srebrenica nuk ishte një dalje e befasishme nga biografia e tij ushtarake, por shprehja përfundimtare dhe më e tmerrshme e saj. Gjykata konstatoi se Mladiqi kishte një rol udhëheqës në katër ndërmarrje të përbashkëta kriminale: largimin e përhershëm të boshnjakëve dhe kroatëve nga territoret mbi të cilat serbët e Bosnjës pretendonin të drejtën; terrorizimin e popullsisë së Sarajevës përmes zjarrit të snajperëve dhe artilerisë; gjenocidin në Srebrenicë; dhe marrjen peng të pjesëtarëve të Kombeve të Bashkuara. Për Sarajevën u konstatua se ai personalisht drejtonte zjarrin, zgjidhte objektivat në mënyrë që të shmangeshin pjesët “serbe” të qytetit, urdhëronte prodhimin dhe përdorimin e bombave ajrore të modifikuara dhe ndërprerjen e sistemeve komunale, me qëllim që popullsia të detyrohej të dilte në rrugë të ekspozuara ndaj snajperëve. Kjo nuk ishte agresivitet i pakontrolluar i disa ushtarëve dhe as pasojë fatkeqe e luftimeve të ligjshme, por një fushatë, qëllimi i së cilës u konstatua se ishte përhapja e frikës midis civilëve, përmes kufizimit të ndihmës humanitare, përhapjes së propagandës antimuslimane dhe ndëshkimit të një qyteti të tërë, sepse ai nuk pranonte të ndahej sipas ideve të hartografëve nacionalistë.
Dhe pastaj vijnë dokumentet që gënjeshtrën shtetërore se Serbia nuk mori pjesë në luftën në Bosnjë e shndërrojnë në një konstruksion pothuajse grotesk, sepse lufta nuk u zhvillua vetëm me flamuj, por edhe me listëpagesa, evidenca kadrovike, cisterna karburanti, arka municionesh dhe mbledhje të shtabeve të përgjithshme. Dënnimi i Mladiqit provoi se pjesëmarrja ushtarake e RFJ-së në Bosnjë nuk përfundoi me tërheqjen formale të APJ-së në maj të vitit 1992, por se Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Jugosllavisë krijoi Qendrën e fshehtë Kadrovike nr. 30, përmes së cilës oficerët që shërbenin në Ushtrinë e Republikës Sërpska merrnin paga, stazh pensional dhe të drejta të tjera si pjesëtarë të Ushtrisë së Jugosllavisë. U konstatua gjithashtu se, nga maji i vitit 1992 deri në prill të vitit 1995, pothuajse nëntëdhjetë për qind e municionit që përdorte Ushtria e Republikës Sërpska kishte ardhur nga APJ-ja dhe Ushtria e Jugosllavisë; se Mladiqi e koordinonte drejtpërdrejt ndihmën me Zhivota Paniqin dhe Momçilo Perishiqin; dhe se një pjesë e materialit të siguruar nga Serbia ishte përdorur për sulme kundër civilëve në Sarajevë. Prandaj, lufta mund ta kalonte Drinën me një kolonë municionesh, në një listëpagesë ushtarake dhe në një dekret për avancim në gradë; vetëm se në komunikatë zyrtare nuk lejohej të ekzistonte.
Kur, më 24 korrik 1995, u akuzua për herë të parë, Mladiqi nuk bëri atë që do të bënte një njeri që beson në pafajësinë e vet dhe në nderin ushtarak të cilin e përmendte pa pushim, por për pothuajse gjashtëmbëdhjetë vjet iu fsheh gjykatës, jetoi nën mbrojtjen e një rrjeti ndihmësish dhe të pjesëve të aparatit ushtarak e të sigurisë, derisa më 26 maj 2011 u gjet në shtëpinë e një të afërmi në Lazarevë. Njeriu që burrave të zënë rob u premtonte shkëmbim, ndërkohë që ata po dërgoheshin drejt vendeve të ekzekutimit, kërkonte për vete gjithçka që atyre nuk ua kishte dhënë: kohë, siguri, ilaçe, familje dhe të drejtën për të pritur pleqërinë. Pikërisht këtu qëndron thelbi i patetikës së tij qyqare, sepse frika nuk është vetëm frikë nga plumbi, por edhe refuzim për t’u përballur me pasojat e urdhrave të tu. Gjashtëmbëdhjetë vjet fshehjeje nuk ishin arratisja e një njeriu nga një gjykatë ndërkombëtare, por bashkëpunimi shumëvjeçar i shtetit me arratisjen e tij; kështu që Mladiqi nuk ishte një gjilpërë që Serbia nuk mund ta gjente në kashtë, por një njeri që kashta e sekreteve shtetërore, pensioneve, lidhjeve dhe heshtjes bashkëpjesëmarrëse nuk dëshironte ta nxirrte në dritë. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i vitit 2007 është juridikisht më i ndërlikuar sesa parullat me të cilat e përdorin atë autoritetet serbe. Gjykata nuk konstatoi se gjenocidi në Srebrenicë ishte kryer nga Serbia përmes organeve të saj shtetërore, as se veprimet e Ushtrisë së Republikës Sërpska, sipas kritereve të zbatuara në atë kohë, mund t’i atribuoheshin Serbisë, por konstatoi se Serbia kishte shkelur detyrimin për ta parandaluar gjenocidin, se nuk e kishte përmbushur detyrimin për ndëshkimin e përgjegjësve dhe për bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës, veçanërisht sepse nuk e kishte ekstraduar Ratko Mladiqin, si dhe se nuk i kishte zbatuar masat e përkohshme të mëparshme të Gjykatës. Ky nuk është një vendim për pafajësi të pastër, por një vendim për një shtet që kishte ndikim politik, ushtarak dhe financiar, që e dinte rrezikun dhe nuk bëri atë që ishte i detyruar të bënte. Prandaj, përçarja politike e Serbisë nuk gjendet në vetë vendimin, por në mënyrën se si Beogradi e lexon atë: pjesa në të cilën nuk u konstatua përgjegjësia e drejtpërdrejtë shtetërore përsëritet si një lutje çliruese, ndërsa pjesa për mosparandalimin e gjenocidit, mosndëshkimin e përgjegjësve dhe fshehjen e Mladiqit fshihet sikur të mos ishte shkruar kurrë.
Natyrisht që serbët nuk janë një popull gjenocidal, sikurse nuk është i tillë asnjë popull, sepse përgjegjësia penale u përket njerëzve, komandantëve, udhëheqjeve politike dhe institucioneve, e jo një foshnjeje të porsalindur, gjuhës, fesë apo kombit. Pikërisht për këtë arsye fushata e regjimit nga viiti 2024, nën sloganin “Ne nuk jemi popull gjenocidal”, ishte kaq hipokrite: Rezoluta e Kombeve të Bashkuara për Srebrenicën nuk i shpalli serbët popull gjenocidal, por përkundrazi e theksoi shprehimisht përgjegjësinë individuale dhe hodhi poshtë atribuimin e saj ndaj një bashkësie të tërë etnike apo fetare. Regjimi shpiku një aktakuzë kolektive, që më pas të mund të paraqitej si mbrojtësi kolektiv; valviti flamuj mbi billboarde dhe ndërtesa dhe i mbuloi vendimet gjyqësore me trupin e një populli të tërë.
Tani i njëjti regjim paralajmëron nderimet më të larta shtetërore pikërisht për njeriun, përgjegjësia individuale e të cilit për gjenocid është vërtetuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, dhe kështu vetë e kryen identifikimin kundër të cilit gjoja luftonte: të dënuarin e vendos nën flamurin kombëtar, e pastaj çdo dënim të veprave të tij e shpall sulm kundër flamurit dhe popullit. Dikur, Mladiqi i përdorte pjesëtarët e OKB-së si mburoja të gjalla kundër sulmeve ajrore; sot regjimi përpiqet t’i vendosë të gjithë qytetarët e Serbisë dhe të gjithë serbët si mburojë morale përreth arkivolit të tij.
Në paralajmërimin e nderimeve shtetërore gjendet edhe një pyetje, së cilës pushteti nuk mund t’i përgjigjet pa shembjenn e një prej gënjeshtrave të veta: gjeneral i kujt ishte Ratko Mladiqi? Nëse ai ishte ekskluzivisht gjeneral i Ushtrisë së Republikës Sërpska, pra i forcave të armatosura të një entiteti tjetër politik në një shtet tjetër, përse Republika e Serbisë i organizon nderimet më të larta shtetërore dhe në bazë të cilit protokoll? Nëse, megjithatë, ai ishte edhe gjeneral i sistemit të Ushtrisë së Jugosllavisë, një njeri gradat e të cilit u verifikuan në Beograd, oficerët e të cilit paguheshin përmes Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe ushtria e të cilit furnizohej nga Serbia, çfarë mbetet nga pretendimi se Serbia nuk kishte të bënte asgjë me luftën në Bosnjë? Varrimi nuk është provë juridike e përgjegjësisë shtetërore dhe nuk mund ta ndryshojë atë që ka vendosur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, por mund të jetë një pranim politik shumë më i sinqertë se të gjitha komunikatat zyrtare, sepse shtetet shpesh e zbulojnë veten më plotësisht pikërisht atëherë kur heshtin, rreshtojnë gardën dhe qëndrojnë në pozicion gatitu.
Këtu nis humnera morale e Serbisë, që nuk përbëhet vetëm nga gënjeshtrat e luftës, por nga një korrupsion i përgjithshëm i kuptimit. Korrupsioni nuk është thjesht një zarf i dorëzuar nën tavolinë, një tender i kurdisur apo para publike të shndërruara në një vilë private; forma e tij më e thellë lind atëherë kur korruptohen vetë fjalët, kur frikacakëria fillon të quhet heroizëm, fshehja- sakrificë, humbja- fitore, krimi-mbrojtje dhe turpi shtetëror-krenari kombëtare. Çarshia e Beogradit – ai rreth i mbyllur i oborrit, tabloideve, tajkunëve, gjeneralëve në pension, salloneve akademike, foltoreve fetare dhe shërbëtorëve partiakë — ka shkatërruar institucionalisht pothuajse gjithçka që në Serbi ishte e ndershme, qytetare, antifashiste dhe evropiane, duke e shndërruar të kaluarën në depo mitesh, të tashmen në treg bindjeje dhe të ardhmen në një borxh që do ta paguajnë gjeneratat që ende nuk kanë lindur.
Ajo e përvetësoi trashëgiminë partizane të babait të Mladiqit për të zbukuruar me të rrugën nacionaliste të birit të tij, përvetësoi viktimat serbe për të fshirë përmes tyre viktimat e të tjerëve, e përvetësoi Evropën si burim parash, por e hodhi poshtë idenë e saj për përgjegjësinë, ligjin dhe dinjitetin njerëzor. Kështu, nga Serbia e Dositejit, Dimitrije Tucoviqit, antifashistëve dhe të gjithë njerëzve që patën guximin t’i thonë popullit të tyre të vërtetën e pakëndshme, bëri shtetin në të cilin forma më fitimprurëse e patriotizmit është të gënjesh “në emër të popullit”.
Asnjë popull nuk bëhet gjenocidal nga krimet e individëve të tij, por një shtet mund të bëhet moralisht i sakatosur kur këta individë i shndërron në modele, dënimet e tyre gjyqësore në fyerje kombëtare dhe varrimet e tyre në shenjtëri shtetërore. Faji i paraardhësve nuk trashëgohet, por trashëgohet detyrimi që krimi i tyre të mos përsëritet; ashtu sikurse nuk trashëgohet nderi i dikujt tjetër, nëse nuk ke forcën ta dëshmosh atë me veprimet e tua. Ratko Mladiqi u dënua dhe vendimi ndaj tij është përfundimtar; vendimi ndaj Serbisë ende nuk është përfundimtar, sepse çdo bgjeneratë e ri- shqipton përmes zgjedhjes midis së vërtetës dhe gënjeshtrës ngushëlluese, midis dhembshurisë për viktimën dhe admirimit për xhelatin e saj, midis një të ardhmeje që kujton dhe një të kaluare që kërkon vazhdimisht viktima të reja.
Të vdekurit nderimet shtetërore nuk mund t’i japin më asgjë, por të gjallëve mund t’ua marrin masën e së mirës dhe së keqes. Prandaj, në fund, një shtet nuk matet nga mënyra se kë ka ditur ta varrosë, por nga ai para kujt ka vendosur të qëndrojë gatitu; e, kur qëndron gatitu përballë krimit, ai nuk i bën nderime njeriut të vdekur – ai varros të ardhmen e vet.


