
Xhamia e fshatit Llacë në Tetovë ka reaguar pas polemikave të krijuara në opinion lidhur me refuzimin e faljes së xhenazes së një gruaje të ndjerë, ku arkivoli i saj ishte i mbuluar me flamurin kombëtar shqiptar.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, nga xhamia kanë kundërshtuar mënyrën se si është paraqitur ngjarja në media, duke paralajmëruar se do të publikojnë materiale të tjera për të sqaruar, sipas tyre, të gjitha rrethanat e rastit.
“Me u trazu gjithë universi, ne nuk luajmë lojën e grupit të Deçanit”, thuhet në reagimin e publikuar nga xhamia.
Në reagim gjithashtu thuhet se fotografitë e publikuara janë të mjaftueshme për të sqaruar atë që, sipas tyre, është paraqitur si bujë mediatike rreth çështjes së varrimit.
“Do t’ju sjellim video-prononcim hap pas hapi për t’i demaskuar qafirët dhe për të dalë në pah e vërteta”, thuhet më tej në reagim.
Ngjarja ka nxitur reagime dhe diskutime në opinion, ndërsa nga Xhamia e Llacës paralajmërojnë se në ditët në vijim do të publikojnë edhe video dhe prononcime të tjera lidhur me rastin.



