LajmeMaqedoniTopLajm

LDP kërkon përgjegjësi politike dhe penale nga Qeveria për glorifikimin e Mlladiqit

Partia Liberal-Demokrate (LDP) dënon ashpër çdo formë të madhërimit dhe glorifikimit të Ratko Mlladiqit, i cili është dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

“Ky nuk është një çështje e qëndrimit politik, përkatësisë kombëtare apo interpretimit të ndryshëm të historisë. Për gjenocidin nuk ka ‘anë tjetër të historisë’ kur faktet janë përcaktuar me vendime të formës së prerë të gjykatave ndërkombëtare.

Veçanërisht e papranueshme është që një glorifikim i tillë të lidhet me bartës të funksioneve të larta shtetërore.

Prandaj kërkojmë që Qeveria menjëherë, publikisht dhe pa mëdyshje të distancohet nga veprimet e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale dhe drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, si dhe të përcaktojë përgjegjësinë politike. Maqedonia nuk mund t’u referohet vlerave evropiane para Brukselit, ndërsa brenda vendit Qeveria të heshtë kur zyrtarët e saj marrin pjesë në glorifikimin e një personi të dënuar për gjenocid.

Kjo çështje nuk përfundon me përgjegjësinë politike. Duhet të hetohet edhe përgjegjësia eventuale penale. Kodi Penal, në nenin 407-a, sanksionon mohimin publik, minimizimin e rëndë, miratimin ose justifikimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës përmes një sistemi informativ, për të cilat parashihet edhe dënim me burg.

Prandaj kërkojmë që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike, në kuadër të kompetencave të tyre, sipas detyrës zyrtare të shqyrtojnë të gjitha publikimet, deklaratat dhe veprimet që lidhen me këtë rast dhe, nëse plotësohen elementet ligjore, Kodi Penal të zbatohet pa përjashtim. Funksioni shtetëror nuk duhet të jetë mburojë nga ligji.

LDP kërkon gjithashtu një kornizë gjithëpërfshirëse ligjore, e cila do të ndalojë qartë madhërimin, afirmimin dhe promovimin publik të personave të dënuar përfundimisht për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, si dhe promovimin e ideologjive fashiste, naziste dhe të tjera totalitare e të dhunshme që nxisin urrejtje dhe intolerancë.

Një ndalim i tillë duhet të vlejë edhe për emërtimin dhe regjistrimin e shoqatave, fondacioneve, klubeve, organizatave, institucioneve publike, rrugëve, shesheve, manifestimeve dhe simboleve të tjera publike, në mënyrë që ato të mos mund të mbajnë emra apo simbole që madhërojnë persona, ideologji ose krime të tilla.

Në të njëjtën kohë, sistemi arsimor duhet të jetë një vijë e qartë mbrojtëse kundër revizionizmit historik. Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës duhet të mësohen mbi bazën e fakteve historike dhe gjyqësore të përcaktuara përfundimisht – pa relativizim, mohim apo paraqitje të kriminelëve të dënuar të luftës si heronj.

Një shtet evropian nuk ndërtohet me parulla evropiane, por me vlera evropiane. Respektimi i viktimave dhe dënimi i gjenocidit janë vijë e kuqe. Nuk ka heshtje kur glorifikohen të dënuarit për gjenocid. Nuk ka relativizim të krimeve. Dhe nuk ka funksion shtetëror mbi ligjin dhe pa përgjegjësi politike”, thuhet në komunikatën e partisë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close