
LSDM akuzon kryeministrin Hristijan Mickoski se, pavarësisht debateve të fundit për projektet e data qendrave, ai nuk është tërhequr nga ideja dhe tashmë po zhvillon negociata me disa investitorë. Opozita kërkon që Qeveria të bëjë publike se cilat kompani janë në bisedime dhe cilat janë kushtet e mundshme të investimeve.
Reagimi i LSDM-së vjen pas deklaratave të Mickoskit se projekti për ndërtimin e data qendrave mbetet në agjendë dhe se janë në lojë pesë deri në gjashtë investitorë. Nga partia opozitare thonë se këto deklarata ngrenë dyshime të reja për mënyrën se si Qeveria po i zhvillon negociatat. “Mickoski deklaroi se nuk heq dorë nga qendrat e të dhënave, përmendi 5-6 investitorë dhe paralajmëroi realizim. Kjo do të thotë se Mickoski tashmë ka dakorduar qendra të të dhënave nën radar“, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Sipas opozitës, çështja kryesore tashmë është identiteti i investitorëve dhe kushtet nën të cilat do të realizoheshin projektet. “Vetëm sikur qytetarët e Maqedonisë të dinin me kë? Kujt ia fal Mickoski ujin, tokën dhe energjinë elektrike?“, pyet LSDM. Partia pretendon se negociatat po zhvillohen pa transparencë të mjaftueshme ndaj publikut dhe se, sipas saj, “bëhen marrëveshje për fitime, ndërsa gjithçka fshihet nga publiku“.
LSDM paralajmëron edhe pasoja të mundshme për qytetarët dhe bujqësinë, duke argumentuar se shfrytëzimi i madh i burimeve të ujit dhe energjisë për qendrat e të dhënave mund të ndikojë në dispozicionin dhe çmimin e tyre. “Bujqit nuk do të kenë ujë për arat. Qytetarët do të paguajnë çmim më të lartë për energjinë elektrike“, thonë nga partia.
Opozita shkon edhe më tej në kritikat ndaj konceptit të qendrave të të dhënave, duke pretenduar se ato nuk paraqesin domosdoshmërisht përfitim të drejtpërdrejtë teknologjik për vendin. “Ushqim nuk do të kemi, Maqedonia nga data qendrat nuk do të ketë asgjë, por do të kenë disa kompani private dhe individë“, thuhet në reagim. Sipas LSDM-së, “qendrat e të dhënave nuk janë përparim teknologjik“, por vetëm infrastrukturë fizike për teknologji që zhvillohen jashtë vendit. “Qendrat e të dhënave janë vetëm harduer për përparimin teknologjik të huaj, në dëm të qytetarëve të Maqedonisë, si çdo gjë me VMRO“, akuzon partia.
LSDM kritikon gjithashtu mënyrën e komunikimit të Qeverisë me opinionin, duke pretenduar se qytetarët nuk kanë informacion të mjaftueshëm për negociatat dhe projektet e paralajmëruara. “Gjithmonë kur Micko negocion, bisedon, qytetarët nuk dinë asgjë“, thuhet në kumtesë. Opozita thekson se investimet e huaja duhet të vlerësohen sipas përfitimit që sjellin për ekonominë dhe qytetarët, dhe jo vetëm sipas vlerës së kapitalit të investuar. “Investimet duhet të jenë në interes të Maqedonisë, e jo burimet e Maqedonisë të vihen në funksion të fitimeve të huaja“, deklaron LSDM.
Në fund, partia kërkon transparencë të plotë nga Qeveria dhe publikimin e informacionit për investitorët me të cilët, sipas saj, Mickoski po negocion. “Prandaj kërkojmë transparencë të plotë: Kush është investitori me të cilin po negocion Mickoski?“, pyet LSDM.


