
Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar lidhur me materialet e publikuara ditët e fundit në media, të paraqitura si pjesë e gjetjeve të Prokurorisë dhe që lidhen me telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, përfshirë edhe një dokument të cilësuar në publik si “Top Secret”.
BIK shprehet e shqetësuar për pretendimet që, sipas saj, prekin jo vetëm institucionin, por edhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve fetare dhe kulturën e bashkëjetesës në Kosovë.
“Publikimi i materialeve të paraqitura si pjesë e gjetjeve të Prokurorisë, përfshirë edhe materialet që lidhen me telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli dhe dokumentin e cilësuar në publik si ‘Top Secret’, ka krijuar një situatë që kërkon maturi, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, zbardhjen e plotë të së vërtetës”, thuhet në reagimin e BIK-ut.
Sipas Bashkësisë Islame të Kosovës, në hapësirën publike prej kohësh është zhvilluar një diskurs denigrues ndaj besimit islam, trashëgimisë dhe rolit të saj institucional, në disa raste i paraqitur në emër të një interpretimi të caktuar të shqiptarizmit dhe “kthimit te rrënjët e të parëve”.
BIK thekson se liria e besimit dhe e shprehjes në Kosovë nuk mund të përdoret për të mohuar apo denigruar një komunitet tjetër fetar.
“Liria e besimit dhe e shprehjes nuk mund të përdoret për të mohuar besimin e tjetrit, për të denigruar një komunitet fetar apo për të vënë në dyshim përkatësinë kombëtare të qytetarëve për shkak të bindjeve të tyre fetare”, thuhet në reagim.
Institucioni fetar kërkon nga qytetarët, institucionet kompetente, Prokuroria Speciale dhe organet profesionale që çdo pretendim i bërë publik të verifikohet në mënyrë të plotë, profesionale dhe institucionale.
BIK kërkon në veçanti sqarime në lidhje me autenticitetin dhe origjinën e dokumentit “Top Secret”.
“Nëse një dokument i tillë ekziston dhe nëse është autentik, duhet të bëhet e qartë kush e ka hartuar, nga cili burim ka ardhur, për çfarë qëllimi është përgatitur, në çfarë rrethanash është përdorur dhe çfarë vlere ka në aspektin faktik dhe provues”, thuhet në deklaratë.
Sipas asaj që është bërë publike, në dokument Bashkësia Islame e Kosovës pretendohet se është institucion nën ndikimin ose kontrollin e shërbimeve të sigurisë së shtetit serb, ndërsa xhamitë dhe medresetë paraqiten si të ndërtuara ose të financuara nga Serbia. Po ashtu, pretendohet se përmes BIK-ut synohej shndërrimi i Kosovës në “Kandahar”.
Bashkësia Islame i cilëson këto si pretendime “jashtëzakonisht të rënda” dhe kërkon që ato të mos trajtohen si fakte pa u verifikuar.
“Këto janë pretendime jashtëzakonisht të rënda. Për këtë arsye, ato nuk mund të trajtohen as si të vërteta të mirëqena dhe as të mbeten vetëm në nivelin e interpretimeve apo deklarimeve publike. Ato duhet t’i nënshtrohen verifikimit të plotë institucional, mbi bazën e fakteve, dokumenteve dhe provave”, deklaron BIK.
BIK kërkon gjithashtu të sqarohet nëse dokumenti apo materiale të tjera të ngjashme janë përdorur gjatë viteve të fundit si bazë për akuza, fushata apo veprime kundër institucionit, xhamive, medreseve, teologëve, imamëve dhe udhëheqësve të saj.
“Nëse një dokument i tillë është përdorur për të ndërtuar akuza apo për të ndikuar në opinionin publik, edhe kjo është çështje që meriton të sqarohet nga institucionet kompetente”, thuhet në reagim.
Bashkësia Islame e Kosovës thekson se nuk kërkon trajtim të veçantë dhe as mbrojtje nga përgjegjësia institucionale, por kërkon që ndaj saj të zbatohen të njëjtat standarde të fakteve dhe provave si ndaj çdo institucioni tjetër.
Në të njëjtën kohë, BIK kërkon ndalimin e “fushatave dhe gjuhëve” që, sipas saj, synojnë të njollosin institucionin, xhamitë, medresetë, hoxhallarët dhe udhëheqësit e saj.
“Nuk kërkojmë përplasje me askënd dhe nuk dëshirojmë që kjo çështje të shndërrohet në një tjetër konflikt politik, fetar apo shoqëror. Ne kërkojmë që ajo të trajtohet përmes institucioneve të drejtësisë dhe procedurave të ligjshme”, thuhet në deklaratë.
BIK u bën thirrje institucioneve që të zbardhin autorësinë, origjinën, autenticitetin, mënyrën e përdorimit dhe ndikimin eventual të dokumentit në zhvillimet shoqërore dhe institucionale në Kosovë.
“Le të ndahen faktet nga pretendimet dhe le të mbajë përgjegjësi secili për veprimet e veta. Ajo që kërkojmë është e thjeshtë: e vërteta të dalë në dritë dhe drejtësia të bëjë punën e saj”, përfundon reagimi i Bashkësisë Islame të Kosovës.


