BotaLajme

Spanja dënon sulmet “e papranueshme” të forcave izraelite ndaj objekteve të UNRWA-s në Kudsin Lindor të pushtuar

Spanja dënoi sulmet “e papranueshme” të forcave izraelite ndaj objekteve të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), duke i bërë thirrje Tel Avivit të respektojë të drejtën ndërkombëtare.

“Qeveria spanjolle i kundërshton kategorikisht këto shkelje të papranueshme ndaj objekteve të agjencisë së Kombeve të Bashkuara, të cilat mbrohen nga imunitetet sipas të drejtës ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë të qeverisë.

Qeveria i bëri thirrje Izraelit të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimet e tij ndërkombëtare, përfshirë ato që rrjedhin nga statusi i tij si fuqi pushtuese, si dhe opinionet këshillimore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Qeveria rithekson mbështetjen e saj të vendosur për UNRWA-n dhe përmbushjen e plotë të mandatit të saj, i cili është thelbësor për përmbushjen e nevojave të popullsisë së refugjatëve palestinezë”, thuhet në deklaratë.

Aty shtohet se mandati i UNRWA-s mbetet thelbësor deri në “arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në rajon përmes zbatimit të zgjidhjes me dy shtete”.

Më herët sot, edhe Britania dënoi hyrjen me forcë dhe marrjen nën kontroll të Qendrës së Trajnimit Kalandiya të UNRWA-s në Kudsin Lindor të pushtuar, duke e cilësuar veprimin “skandaloz”.

Të martën, forcat izraelite evakuuan stafin nga objekti i UNRWA-s, morën nën kontroll kompleksin dhe ngritën flamurin izraelit në oborrin e tij. Forcat izraelite gjithashtu dislokuan trupa rreth kampit të refugjatëve Kalandiya dhe Kafr Aqabit, duke kryer bastisje, kontrolle dhe marrje në pyetje në terren të palestinezëve.

Në një deklaratë, UNRWA tha se “dënon pa mëdyshje këtë inkursion të paautorizuar dhe thellësisht shqetësues” në qendër, duke theksuar se hyrja e forcave të armatosura të sigurisë në një objekt të OKB-së, pa autorizimin ose pëlqimin e Kombeve të Bashkuara, është “e papranueshme”.

Agjencia shtoi se bëhet fjalë për një objekt të OKB-së “të mbrojtur nga privilegjet dhe imunitetet që i garantohen organizatës sipas së drejtës ndërkombëtare”.

“Paprekshmëria e tij duhet të respektohet plotësisht”, tha UNRWA.

Related Articles

Back to top button
Close
Close