
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka theksuar angazhimin e Qeverisë për realizimin e projekteve konkrete në infrastrukturë dhe arsim.
Në një njoftim pas vendosjes së gurthemelit për autostradën Bllacë–Shkup, Sali bëri të ditur se së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, vizituan edhe kampusin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, ku po zhvillohen punimet ndërtimore.
“Ndërtojmë sot, për të ardhmen!”, shkroi Sali, duke e cilësuar ditën si historike.
Sipas tij, ndërtimi i kampusit të Universitetit “Nënë Tereza” përbën një tjetër dëshmi të përkushtimit të Qeverisë për zhvillimin e arsimit të lartë dhe krijimin e kushteve moderne për studentët dhe stafin akademik.
“Ky projekt është një tjetër dëshmi e përkushtimit tonë për zhvillimin e arsimit të lartë dhe krijimin e kushteve moderne për studentët dhe stafin akademik”, deklaroi Sali.
Zëvendëskryeministri i parë theksoi se Qeveria synon që përmes projekteve konkrete të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe krijimin e mundësive të reja për gjeneratat e ardhshme.
“Kjo qeveri është qeveri e projekteve konkrete, e punës dhe e rezultateve”, u shpreh Sali.
Ai shtoi se investimet shtrihen nga infrastruktura rrugore deri te arsimi, duke përfshirë projekte që, sipas tij, do të kenë ndikim afatgjatë në zhvillimin e vendit.
“Nga infrastruktura rrugore te investimet në arsim, po ndërtojmë vepra që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe krijojnë mundësi më të mira për gjeneratat e reja”, përfundoi Sali.


