LajmeMaqedoni

Pas 23 vitesh, Tetova drejt Planit të ri Urbanistik

Komuna e Tetovës është duke vazhduar me punën për hartimin e Planit të ri Gjeneral Urbanistik, një dokument strategjik që do të përcaktojë zhvillimin e qytetit për dekadat e ardhshme. Kryetari i Komunës, së Tetovës Bilall Kasami, bëri të ditur se procesi po zhvillohet paralelisht në disa drejtime. Aktualisht po bëhet përditësimi i të dhënave bazë dhe po hartohet detyra projektuese. Në të njëjtën kohë, kompania e licencuar po përgatit të gjitha studimet përcjellëse të nevojshme për këtë projekt, thotë Kasami për gazetën KOHA.

Në kuadër të këtij plani, Kasami njoftoi se pas një takimi të zhvilluar me ekspertët e fushave përkatëse, është vendosur që qytetarët të jenë pjesë aktive e vendimmarrjes.

“Është duke u përgatitur azhurnimi i të dhënave bazë, pra është duke u përgatitur detyra projektuese, në ndërkohë kompania po përgatit të gjitha studimet përcjellëse që janë të nevojshme për përpilimin e një Plani Gjeneral Urbanistik. Në para disa ditëve kemi pasur takim me kompaninë dhe ekspertët e angazhuar në të gjitha fushat e caktuara dhe ndër aktivitetet të cilët janë duke u ndërmarrë është edhe përpilimi i një pyetësori për qytetarët e Tetovës, ku do të identifikohen nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, të cilët do të jenë pjesë e Planit Gjeneral Urbanistik”, deklaroi Kryetari i Komunës, së Tetovës Bilall Kasami. Ai theksoi se Plani i ri Gjeneral Urbanistik pritet që të përmbushë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.

Kreu i komunës së Tetovës u shpreh optimist për dinamikën e punimeve. Ai siguroi se bashkëpunimi mes komunës, kompanisë dhe institucioneve të tjera po ecën sipas parashikimeve.

“Po punohet në disa drejtime dhe ne besojmë që me seriozitetin dhe punën që e bën kompania në bashkëpunim me komunën dhe institucionet tjera brenda afateve me kontratë, do të kemi një Plan Gjeneral, apo fillimisht një draft të cilin do ta diskutojmë me qytetarët dhe sigurisht Tetova do ta ketë një Plan Gjeneral që do t`i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve” deklaroi Kasami. Në paraqitjet e tija publike, Kasami ka thënë se mbi 70 për qind e Tetovës është pa Plane Detale Urbanistike. Plani Gjeneral Urbanistik pritet t’i japë zgjidhje disa prej problemeve më akute të Tetovës, përfshirë kaosin në trafik, mungesën e hapësirave të gjelbra dhe menaxhimin e infrastrukturës urbane, si dhe zgjerimin e qytetit. ”Po punojmë edhe në Planin Gjeneral Urbanistik, ku qytetarët do të kenë mundësi të ndërtojnë dhe të kemi pjesë zhvillimore të qytetit dhe të mund të ndërtohen edhe kapacitete industriale dhe rezidenciale dhe çdo kush që mund të ndërtojë, të ndërtojë me leje”, ka thënë Kasami.

Ndryshe, Komuna e Tetovës vazhdon të funksionojë pa Plan Gjeneral Urbanistik prej vitit 2003, ndërsa ka pasur një ndryshim në vitin 2013, por që atëherë e këndej nuk është arritur që të përpunohet dhe pastaj të miratohet ky plan. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close