
Tre persona, mes tyre dy mjekë, të arrestuar në Shkup për import dhe shpërndarje të paligjshme të barnave
Në kuadër të procedurës hetimore që po zhvillon Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, lidhur me një grup të organizuar kriminal të përfshirë në importin, shpërndarjen dhe aplikimin e paligjshëm të barnave dhe pajisjeve mjekësore, gjatë ditës së djeshme janë kryer kontrolle në pesë lokacione në Shkup, përfshirë edhe dy institucione shëndetësore. Gjatë aksionit janë arrestuar tre persona, mes tyre dy mjekë.
Sipas Prokurorisë, mbi bazën e provave të siguruara, prokurori publik ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj katër personave.
Tre nga të dyshuarit ngarkohen për veprat penale “bashkim kriminal” dhe “cenim i të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj”, ndërsa një person dyshohet vetëm për veprën penale “cenim i të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj”.
Me propozim të prokurorit kompetent, gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup u ka caktuar të katër të dyshuarve masa kujdesi.
Rasti është hapur në prill të këtij viti, kur ishte lëshuar urdhër për zhvillimin e hetimeve ndaj 17 personave fizikë dhe gjashtë personave juridikë, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë qenë të përfshirë në veprat penale “bashkim kriminal”, “cenim i të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj” dhe “marrje ryshfeti”.



