Miratohet rezoluta kundër embargos amerikane ndaj Kubës, Shqipëria abstenon

Për herë të 34-t, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i japin fund embargos ekonomike, tregtare dhe financiare ndaj Kubës. Por këtë vit, rezoluta mori mbështetjen më të ulët në dy dekadat e fundit.

Në votimin e së mërkurës, 130 vende u shprehën pro, 17 kundër dhe 25 abstenuan. Mes atyre që abstenuan ishte edhe Shqipëria, e cila kësaj here nuk iu bashkua vendeve që kërkuan heqjen e bllokadës amerikane ndaj Havanës.

Abstenimi shënon një ndryshim nga qëndrimi që Shqipëria ka mbajtur tradicionalisht në këtë votim. Ky qëndrim i Shqipërisë vjen në një periudhë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Havanës mbeten të tensionuara, ndërsa qëndrimi pro-rus i Kubës ndaj luftës në Ukrainë është përdorur nga disa vende perëndimore si argument kundër rezolutës.

Votimi pasqyron edhe ndarjet mes vendeve anëtare të OKB-së për mënyrën se si duhet trajtuar Kuba dhe për vazhdimin e sanksioneve amerikane, të cilat Havana i konsideron një pengesë të rëndë për ekonominë e vendit.

Embargoja amerikane ndaj Kubës daton që prej vitit 1960, kur Uashingtoni vendosi kufizimet e para tregtare, pas përplasjeve me qeverinë e Fidel Kastros dhe shtetëzimit të pronave amerikane në ishull. Në shkurt të vitit 1962, presidenti John Kennedy e zgjeroi embargon në pothuajse të gjithë tregtinë mes dy vendeve.

Në dekadat që pasuan, kufizimet u forcuan më tej me ligje të miratuara nga Kongresi amerikan, veçanërisht në vitet 1992 dhe 1996. Pavarësisht disa lehtësimeve të përkohshme, embargoja mbetet në fuqi edhe sot, më shumë se gjashtë dekada pas vendosjes së saj.