
Ushqimet pikante janë të preferuara nga shumë njerëz për shkak të shijes së veçantë që i japin gatimeve, por një studim i ri ka ngritur pyetje rreth ndikimit të konsumit të tepërt të tyre në funksionet e trurit.
Sipas një hulumtimi ku morën pjesë më shumë se 4 mijë persona, individët që konsumonin sasi të larta të ushqimeve pikante çdo ditë kishin më shumë gjasa të shfaqnin probleme me kujtesën krahasuar me ata që konsumonin më pak ose aspak.
Studimi raportoi se konsumimi i rreth 50 gramëve ushqime ose erëza pikante në ditë lidhej me një rrezik më të lartë për dobësim të kujtesës dhe rënie të aftësive njohëse gjatë viteve.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se arsyeja e saktë e kësaj lidhjeje ende nuk është përcaktuar plotësisht. Një nga teoritë është se konsumimi i sasive të mëdha të disa përbërësve pikantë mund të ndikojë në funksionimin e disa nervave.
Nga ana tjetër, hulumtime të mëparshme kanë treguar se ushqimet pikante mund të kenë edhe efekte pozitive, si ndihma në kontrollin e peshës dhe përmirësimi i qarkullimit të gjakut.
Ekspertët theksojnë se nevojiten më shumë studime për të kuptuar më mirë ndikimin afatgjatë të ushqimeve pikante në shëndetin e trurit, ndërsa konsumimi i moderuar mbetet zgjedhja më e rekomanduar.



