
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha të premten se rikthimi i diplomacisë me SHBA-në në rrugën e duhur “nuk është i pamundur”, pas bisedimeve me kryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Katarit në Teheran, transmeton Anadolu.
Araghchi tha në platformën amerikane të mediave sociale X se “pati diskutime krijuese” me ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani.
“Rikthimi i diplomacisë në rrugën e duhur nuk është i pamundur. Varet nga kuptimi i SHBA-së për një fakt të thjeshtë: presioni nuk funksionon”, tha ai.
“SHBA-të duhet të ndërtojnë besim, të flasin me respekt, të pranojnë të drejtat tona dhe të mbajnë angazhimet”, shtoi ministri i jashtëm iranian.
Sheikh Mohammed vizitoi Teheranin të enjten, ndërsa Doha vazhdoi përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet midis Iranit dhe SHBA-së.
Gjatë vizitës, ai zhvilloi bisedime me Presidentin iranian Masoud Pezeshkian, ministrin Araghchi, Kryetarin e Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf dhe Sekretarin e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei.
Bisedimet përfshinin përpjekjet për të krijuar kushte për rifillimin e dialogut, si dhe një korridor të përbashkët të përkohshëm lundrimi përmes Ngushticës së Hormuzit dhe përpjekje për pastrimin e minave.
Vizita shënoi udhëtimin e parë të ministrit të Jashtëm të Katarit në Iran që nga fillimi i konfliktit me sulmet amerikane dhe izraelite në fund të shkurtit.



