BotaLajme

Mbreti Harald i Norvegjisë ndërron jetë në moshën 89-vjeçare

Mbreti i Norvegjisë, Harald V, ka ndërruar jetë të premten në moshën 89-vjeçare, njoftoi Pallati Mbretëror, transmeton Anadolu.

Mbreti “ka ndërruar jetë paqësisht” në Spitalin Kombëtar në Oslo në orën 06:35 me kohën lokale, sipas pallatit.

Pas njoftimit, flamuri mbretëror në pallat u ul në gjysmështizë.

Harald ishte shtruar në spital më 17 gusht, pasi iu nënshtrua një kontrolli mjekësor.

Më vonë, pallati bëri të ditur se ai po merrte trajtim me kortizon për anemi hemolitike, një çrregullim i gjakut që kishte shkaktuar grumbullim të lëngjeve në trupin e tij.

Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua pasi zhvilloi një infeksion bakterial në qarkullimin e gjakut, raportoi transmetuesi publik norvegjez NRK.

Princi i Kurorës Haakon pasoi menjëherë të atin në fron si monark i Norvegjisë, në përputhje me rregullat kushtetuese të vendit.

Qeveria pritet të takohet me mbretin e ri gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Shtetit në Pallatin Mbretëror. Emri i tij mbretëror do të bëhet i ditur pas mbledhjes.

Sipas Kushtetutës së Norvegjisë, monarku i ri duhet të bëjë edhe betimin para parlamentit. Norvegjia nuk zhvillon ceremoni kurorëzimi.

Harald u ngjit në fron më 17 janar 1991, pas vdekjes së babait të tij, mbretit Olav V, dhe qëndroi në krye të shtetit për më shumë se 35 vjet.

Në kohën e vdekjes, ai ishte monarku në fron më i moshuar në Evropë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close