
U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Valentina Superti, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë në Kosovë.
Gjatë takimit, Haxhiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për zhvillimin e Kosovës, duke theksuar se kjo përkrahje është shndërruar në institucione demokratike, reforma dhe një orientim të qartë evropian që, sipas saj, gëzon mbështetje të lartë nga qytetarët.
Ajo theksoi se Kosova ka mbajtur kurs të qartë në reformat evropiane, është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe po zbaton me seriozitet obligimet që rrjedhin nga Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes.
Në këtë kontekst, Haxhiu kërkoi që progresi i Kosovës të marrë një përgjigje të qartë politike nga Bashkimi Evropian përmes avancimit të vendit drejt statusit të kandidatit dhe hapjes së negociatave për anëtarësim.
U.D. Presidentja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe të bashkëpunimit të barabartë rajonal, duke kërkuar që Kosova të trajtohet në mënyrë të barabartë sa i përket përfaqësimit, lidhjeve infrastrukturore, tregtisë, digjitalizimit dhe qasjes në iniciativat e tregut të përbashkët.



