LajmeRajon

Helmohen 60 studentë të Akademisë, të rinjtë përfundojnë në spital me të vjella e temperaturë. Hetohet kompania “Sori-Al”

Një tjetër alarm në Akademinë e Sigurisë. Për herë të dytë brenda pak kohësh, dhjetëra kursantë të këtij institucioni kanë përfunduar në spital me simptoma të dyshuara helmimi.

Ushqimi katering për studentët e Akademisë ofrohet nga kompania private Sori-Al,  e administruar nga Alma Tafani.

Sipas policisë, 60 studentë janë paraqitur në spitalin Infektiv të QSUT me probleme shëndetësore. 31 prej tyre janë dërguar gjatë mbrëmjes së djeshme dhe gjatë natës, ndërsa 29 të tjerë janë paraqitur në mëngjes në qendrën shëndetësore të Akademisë dhe më pas janë transportuar për trajtim në QSUT.

Studentët kanë shfaqur simptoma si temperaturë dhe diarre, ndërsa pas marrjes së ndihmës mjekësore një pjesë e tyre janë rikthyer në Akademi në gjendje të mirë.

Dyshimet janë për ushqimin e konsumuar nga kursantët, ndërsa në fokus të verifikimeve është kompania që ka ofruar shërbimin catering, Sori-Al.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë mostra të ushqimeve, të cilat po i nënshtrohen analizave laboratorike.

Përsëritja e këtij episodi brenda një kohe të shkurtër ka ngritur pikëpyetje për sigurinë ushqimore në një prej institucioneve ku përgatiten brezat e ardhshëm të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po zhvillon hetime për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.

Veprimtaria e Kompanisë SORI-AL u zhbllokua nga AKU në muajin maj, pas helmimit të 52 studentëve në Akademinë e Sigurisë.  Ajo rinisi aktivitetin pasi ishte gjobitur me 1.5 milionë lekë për ushqim të pasigurt dhe kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare.

Related Articles

Back to top button
Close
Close