
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka shprehur ngushëllimet e tij për popullin e Venezuelës pas tërmeteve të fuqishme që goditën vendin dhe shkaktuan dhjetëra viktima e qindra të plagosur.
Përmes një deklarate zyrtare, Rubio tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë Venezuelës në këtë moment të vështirë dhe do të ofrojnë ndihmë të menjëhershme për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore.
“SHBA-ja shpreh ngushëllimet më të thella për popullin e Venezuelës pas tërmeteve shkatërruese. Mendimet tona janë me të gjithë ata që kanë humbur të afërmit e tyre, me të plagosurit dhe me ekipet e guximshme të shpëtimit që po punojnë pa u lodhur në terren”, deklaroi Rubio.
Ai bëri të ditur se, me urdhër të presidentit amerikan, Donald Trump, Departamenti amerikan i Shtetit po dërgon menjëherë ekipe kërkim-shpëtimi, burime mjekësore dhe ndihma humanitare në Venezuelë.
“Amerika qëndron përkrah popullit venezuelian gjatë kësaj periudhe të vështirë. Me drejtimin e Presidentit Trump, Departamenti i Shtetit po dislokon menjëherë ekipe kërkim-shpëtimi, burime mjekësore dhe asistencë humanitare për Venezuelën”, shtoi ai.
Dy tërmete të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë goditën Venezuelën, duke shkaktuar shembje ndërtesash, dëme të mëdha infrastrukturore dhe panik mes banorëve. Sipas autoriteteve venezueliane, deri tani janë konfirmuar të paktën 32 viktima dhe mbi 700 të plagosur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonat më të prekura.
Qeveria venezueliane ka shpallur gjendjen e emergjencës, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po shpreh solidaritet dhe gatishmëri për të ndihmuar vendin në përballimin e pasojave të katastrofës.



