
Lidhja Automote e Maqedonisë (LAMM) njofton se që nga 1 korriku deri më 31 gusht 2025, në rrugët shtetërore të Maqedonisë së Veriut do të vendoset regjim i veçantë veror i komunikacionit me çka ndalohet lëvizja e automjeteve të rënda ngarkuese në masë prej mbi 15 ton, transmeton TV21.
Ndalesa do të vlejë gjatë ditëve të fundjavës dhe gjatë ditëve me temperatura të larta ekstreme.
Oraret janë siç vijojnë:
– E premte gjatë periudhës 17:00 – 22:00h,
– E shtunë gjatë periudhës 09:00 – 18:00h dhe
– E diel gjatë periudhës 09:00 – 22:00h.
Nga LAMM njoftojnë se gjatë ditëve me temperatura të larta ekstreme, të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndalesa do të vlejë nga e hëna deri të enjten gjatë periudhës prej orës 11:00 deri në ora 17:00.
“Kufizimi nuk vlen për veturat që transportojnë kafshë, lule, ndihmë humanitare, agrokultura apo dhe mallra që prishen lehtë, naftë dhe derivate të naftës, transport të materialeve të rrezikshme dhe ata që kryejnë transport për kompani të cilat kanë marrëveshje të nënshkruara për realizim të projekteve të rrugëve shtetërore me NP “Rrugë Shtetërore””, thuhet më tej në njoftimin e LAMM-it.
Në rrugën magjistrale A2: Shkup – Ohër – Shkup (deri më 1 shtator 2025) vendoset ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda ngarkuese masa e të cilave kalon 7.5 ton gjatë kohës së
– vikendeve dhe gjatë orareve
– e premte gjatë periudhës 15:00 – 22:00h,
– e shtunë gjatë periudhës 07:00 – 12:00 dhe prej 18:00 – 24:00 dhe
– e diel gjatë periudhës 07:00 – 22:00h.
“Ky regjim i veçantë i komunikacionit vendoset gjatë verës me qëllim ikjes së bllokimit të komunikacionit në rrugët që çojnë drejt vendeve më të vizituara turistike dhe uljen e kolonave në pikëpagesat rrugore dhe lëvizje e pandërprerë e turistëve”, sqarojnë më tej nga LAMM-i.



