Psikologjia në veprim – me dije dhe përgjegjësi, pranë jush

Në kuadër të nismës “Psikologjia në veprim – me dije dhe përgjegjësi, pranë jush”, më 28 tetor 2026 u realizua trajnimi i parë njëditor për linjën telefonike për fëmijë “Alo Bushavko”. Aktiviteti u organizua në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës dhe Ambasadës së Parë të Fëmijëve në Botë “Megjashi”.

Në këtë trajnim morën pjesë studentë të vitit të dytë, të tretë dhe të katërt të programit studimor të Psikologjisë, të cilët patën mundësinë të informohen me funksionimin, parimet dhe përgjegjësitë që ndërlidhen me punën e linjës telefonike për fëmijë. Përmes këtij aktiviteti, studentët u njohën me rëndësinë e komunikimit të përgjegjshëm dhe të ofrimit të mbështetjes së përshtatshme për fëmijët, duke vënë në qendër të vëmendjes të drejtat, nevojat dhe interesin më të mirë të tyre.

Trajnimi u udhëhoq nga Jordanka Cerepnalkova Trajkoska, trajnere e Ambasadës së Parë të Fëmijëve në Botë “Megjashi”, e cila trajtoi aspekte të rëndësishme të zhvillimit të kompetencave profesionale dhe praktike në komunikimin me fëmijët. Vëmendje e veçantë iu kushtua dëgjimit aktiv, qasjes së ndjeshme dhe të përgjegjshme, si dhe orientimit drejt mekanizmave përkatës të mbështetjes dhe mbrojtjes së fëmijëve.

Koordinimi i bashkëpunimit nga ana e Fakultetit Filozofik realizohet nga ekipi koordinues, i përbërë nga Prof. Dr. Sheruze Osmani – Ballazhi, Prof. Dr. Sara Sadiki dhe Prof. Dr. Luljeta Bexheti, të cilat angazhohen në zhvillimin dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta, me synim forcimin e ndërlidhjes ndërmjet përgatitjes akademike dhe përvojës praktike të studentëve.

Realizimi i këtij trajnimi shënon një hap të rëndësishëm në konkretizimin e nismës “Psikologjia në veprim” dhe krijon mundësi që studentët t’i zbatojnë njohuritë e fituara gjatë studimeve në kontekste reale profesionale dhe shoqërore. Njëkohësisht, ky aktivitet dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe organizatave që veprojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, në funksion të promovimit të të drejtave dhe mirëqenies së tyre.