Hoxha: Veprimi klimatik kërkon masa konkrete, investime dhe përgjegjësi të përbashkët

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot mori pjesë në dialogun nacional me temë „Përshpejtimi i veprimit klimatik: Dialogu nacional në rrugën drejt COP31“, organizuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Në kuadër të aktivitetit u zhvillua një panel-diskutim, ku përveç ministrit Hoxha, morën pjesë edhe presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Grigorian, si dhe Dame Dimitrovski, këshilltar i kryeministrit për mjedisin jetësor dhe klimën. Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të fushës së ndryshimeve klimatike.
Në fjalën e tij, Hoxha theksoi se detyrimet në fushën e klimës duhet të përkthehen në masa konkrete dhe rezultate të matshme. Ai veçoi avancimin e planifikimit nacional klimatik, hartimin e Ligjit për Veprimin Klimatik dhe forcimin e sistemit të monitorimit dhe raportimit si hapa të rëndësishëm drejt një politike klimatike më të përgjegjshme dhe më efikase.
Hoxha theksoi se për përshpejtimin e veprimit klimatik nevojiten institucione të fuqishme, koordinim, investime dhe mbështetje e përshtatshme ndërkombëtare.
Politika klimatike, nënvizoi ai, është e rëndësishme edhe për tranzicionin e gjelbër, sigurinë energjetike dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Dialogu nacional është pjesë e përgatitjeve të vendit për Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike COP31, e cila do të mbahet në Antalia të Turqisë, nga 9 deri më 20 nëntor 2026.