Të dashur shqiptarë,
Brvenica është obligim, është mision, është amanet!
Vota për kandidatin shqiptar në Brvenicë është votë për dinjitetin e ne shqiptarëve këtu, në tokën tonë.
Ju siguroj se të njëjtën thirrje do ta bëja edhe sikur në raundin e dytë të ishte kandidati tjetër shqiptar. Sepse Brvenica është mbi partitë politike!
Mos kini asnjë dyshim: gara zgjedhore në Brvenicë ka dimension të qartë etnik. Sepse si mund të jetë ndryshe në një shtet ku, fatkeqësisht, edhe vendimmarrja institucionale bëhet mbi këtë bazë?
Dëgjova të flitet për investime. Por një gjë duhet ta kemi të qartë të gjithë: asnjë kryeministër, asnjë ministër dhe asnjë udhëheqës institucioni nuk investon nga xhepi i vet. Investon me taksat tona!
Prandaj, mos lejoni që detyrimi i shtetit për barazi në trajtim, në çdo aspekt, përfshirë edhe investimet, t’ju shitet si mëshirë apo si lëmoshë.
Dilni të gjithë në votime! Sepse çdo votë është dëshmi se shqiptari ka peshën dhe dinjitetin që i takon, ashtu siç e ka falur Zoti, e jo aq sa ia caktojnë pazaret politike që mund të bëhen në emrin tuaj.
Përgjigjja të dielën duhet të jetë një dhe e vetme: Po, qytetarët e Brvenicës janë qytetarë të Maqedonisë së Veriut me përkatësi kombëtare shqiptare, ashtu siç është edhe vetë Brvenica!
Me këmbë të mbarë dhe na priftë e mbara!


