
Rrjedha e deritanishme e hetimit, i cili që nga shkurti i këtij viti zhvillohet në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PPRKOK) për transport të organizuar të lëndës narkotike marihuanë nga Maqedonia e Veriut në Serbi, tregon për një rreth më të gjerë personash të përfshirë në aktivitetin kriminal të organizuar.
Siç njofton Prokuroria Publike, provat e siguruara nga veprimet hetimore të ndërmarra dhe bashkëpunimi ndërkombëtar me autoritetet kompetente të Serbisë rezultuan me nxjerrjen e një urdhri të ri për zhvillimin e procedurës hetimore kundër edhe shtatë personave.
Shtatë personat dyshohen se, si pjesëtarë të grupit kriminal të organizuar, kanë kryer të njëjtën vepër penale “Prodhim dhe lëshim të paautorizuar në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, nga neni 215, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Përkatësisht, siç sqaron Prokuroria nga një periudhë ende të papërcaktuar gjatë vitit 2025 deri në fund të janarit 2026, në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, gjashtë personat ndaj të cilëve zhvillohet procedurë nëSerbi gjashtë personat e përfshirë në hetimin e Prokurorisë që nga shkurti, shtatë të dyshuarit e rinj, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, janë bashkuar me qëllim të shitjes së paautorizuar dhe nxjerrjes në qarkullim të lëndës narkotike marihuanë.
Secili prej tyre kishte rol të caktuar, ndërsa vetë ose përmes personave të tjerë të paidentifikuar merrnin, mbanin dhe transportonin lëndën narkotike marihuanë, me qëllim shitjen e mëtejshme të paautorizuar dhe nxjerrjen e saj në qarkullim në territorin e Republikës së Serbisë dhe shteteve të tjera.
“Si mbulesë për aktivitetet e paligjshme është përdorur një person juridik në Shkup, i cili posedon leje për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe leje për prodhimin e ekstrakteve të kanabisit për nevoja mjekësore. Pronarët e personit juridik nga Shkupi, njëri prej të cilëve është edhe drejtues, së bashku dhe pas marrëveshjes paraprake kanë organizuar persona të tjerë, ende të paidentifikuar, nga Serbia dhe RMV-ja, që së bashku të siguronin lëndë narkotike marihuanë dhe në disa raste ta transportonin atë nga RMV-ja në Serbi”, sqaroi Prokuroria.
Më tej thuhet se për këtë qëllim janë përdorur automjete transportuese dhe deklarata doganore, me të cilat paraqitej se po transportoheshin tekstile, produkte ushqimore dhe mallra të llojeve të tjera.
“Pasi droga narkotike të transportohej përtej kufirit shtetëror, organizohej magazinimi i saj në zonën e Konjuhit, pranë Krushevcit, ku marihuana ripaketohej dhe shpërndahej për shitje të mëtejshme”, tha Prokuroria.
Sipas provave të siguruara deri tani, i njëjti modus operandi është përdorur në të paktën pesë transporte, për të cilat janë përdorur automjete të ndryshme të udhëtarëve dhe automjete transportuese.
“Te automjetet transportuese me mallra të zhdoganuara dhe të vulosura paraprakisht, hiqej vula dhe nxirrej një pjesë e mallit të zhdoganuar, ndërsa në vend të tij vendoseshin kuti me lëndë narkotike marihuanë, me peshë përafërsisht të njëjtë me peshën e mallit të nxjerrë”, tha Prokuroria.
Më pas, automjeti transportues nisej drejt Pikës Kufitare Tabanoc, ndërsa ndiqej nga njëri prej të dyshuarve me automjet udhëtarësh. Në këtë mënyrë, marihuana transportohej e kamufluar si produkte ushqimore, jastëkë dhe jorganë.
Më 21 korrik 2026, Prokuroria Publike për Krim të Organizuar e Serbisë ngriti aktakuzë kundër gjashtë anëtarëve të grupit kriminal të organizuar për transport të paligjshëm ndërkombëtar të marihuanës.
Sipas aktakuzës në Serbi, dy prej pronarëve të personit juridik nga Shkupi jepnin udhëzime dhe instruksione dhe koordinonin pjesëtarët e grupit kriminal, të cilët kishin për detyrë që në zonën e Konjuhit ta pranonin dhe ta magazinonin lëndën narkotike marihuanë në hapësirat e magazinës së një personi juridik, pronari dhe drejtuesi i të cilit është gjithashtu i akuzuar.
“Një pjesë e drogës më pas magazinohej në objektet ndihmëse në shtëpinë e tij në Konjuh, ku organizohej ripaketimi i saj për shitje të mëtejshme. Më pas, marihuana e destinuar për shitje në territorin e Beogradit i dorëzohej një anëtari tjetër të akuzuar të grupit”, tha Prokuroria.
Ndërkohë, në procedurën që zhvillohet në Prokurorinë Publike Kundër Krimit të Organizuar the Korrupsionit, më 10 gusht 2026, Gjykata Themelore Penale Shkup solli dy aktgjykime në bazë të marrëveshjeve të lidhura me dy të dyshuar.
Me marrëveshjet, të dyshuarit pranuan se kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen. Me këtë rast, atyre iu shqiptuan dënime me burgim prej tre vjet e gjashtë muaj, përkatësisht tre vjet e tetë muaj.



