
I armatosur me një automatik kallashnikov me 3 krehra dhe i fshehur në një banesë rreth 500 metra larg shtëpisë së tij, kështu është kapur i shumëkërkuari Ylli Zalla gjatë një operacioni blic në Krujë.
Sipas raportimeve, banesa ku strehohej i shumëkërkuarit është mbajtur prej ditësh nën vëzhgim me dronë të teknologjisë së lartë “Bayraktar” nga forcat operacionale të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, çka ka mundësuar lokalizimin e saktë dhe ndërhyrjen e menjëhershme të efektivëve.
Dronët “Bayraktar” janë pjesë e flotës që u blenë nga Turqia. Ata fluturojnë në lartësi të mëdha dhe janë të vështirë për t’u identifikuar, ndërsa ofrojnë pamje me rezolucion shumë të lartë.
Lajmi për prangosjen e Ylli Zallës u konfirmua këtë të hënë nga Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari. Sipas njoftimit të tij, kapja e Zallës, i cili i shmangej drejtësisë prej vitit 2025 dhe konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, u realizua gjatë operacionit të koduar “Fundi i Arratisë” në Krujë.
Në këtë aksion u angazhuan Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat e DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.



