
Deklarata e kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, se Qeveria është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse këtë e kërkon opozita, ka marrë përgjigje të menjëhershme nga Bashkimi Demokratik për Integrim: “E kërkojmë”
Maqedonia e Veriut mund të hyjë në një cikël të ri zgjedhor para përfundimit të mandatit të rregullt. Deklarata e kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, se Qeveria është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse këtë e kërkon opozita, ka marrë përgjigje të menjëhershme nga Bashkimi Demokratik për Integrim: “E kërkojmë”.
Kështu, një deklaratë e kryeministrit e dhënë në një intervistë televizive është shndërruar brenda pak orësh në sfidë të drejtpërdrejtë politike mes pushtetit dhe opozitës. Mickoski deklaroi se shumica qeverisëse nuk i frikësohet një përballjeje të re me votuesit dhe se është e gatshme të dalë në zgjedhje në çdo moment. Sipas Mickoskit, Qeveria ka mandat katërvjeçar të marrë nga qytetarët, i cili përfundon në pranverën e vitit 2028, ndërsa mandati politik i Qeverisë aktuale, për shkak të modelit të qeverisë teknike, praktikisht do të zgjaste deri në fund të vitit 2027.
Megjithatë, ai bëri të qartë se pushteti është i gatshëm ta ndërpresë mandatin nëse opozita kërkon zgjedhje. “Jemi të gatshëm në çdo kohë të dalim dhe t’i mundim”, deklaroi Mickoski. Kryeministri shkoi edhe një hap më tej, duke thënë se, nëse ekziston kërkesë për zgjedhje të parakohshme, është i gatshëm të thërrasë takim liderësh, ku partitë politike do të mund të dakordoheshin për datën e mbajtjes së tyre.
Përgjigjja nga BDI nuk vonoi. “E kërkojmë”, ishte mesazhi i drejtpërdrejtë i partisë së Ali Ahmetit pas deklaratës së Mickoskit. Nga BDI vlerësojnë se kryeministri “më në fund e ka kuptuar” se situata politike në vend, sipas tyre, është e paqëndrueshme dhe se vendit i nevojitet një mandat i ri politik.
Partia më e madhe opozitare shqiptare pretendon se Qeveria e ka humbur legjitimitetin për të vazhduar qeverisjen, duke renditur një varg arsyesh për kërkesën për zgjedhje: ngecjen e procesit të integrimit evropian, përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike, cenimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe dobësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
BDI tani kërkon që deklarata e Mickoskit të mos mbetet vetëm një ofertë politike e bërë në studio televizive. Nga kjo parti kërkojnë hapa konkretë dhe një afat të qartë për organizimin e zgjedhjeve. Sipas tyre, brenda ditëve duhet të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues për mbajtjen e zgjedhjeve, të nisin përgatitjet dhe qytetarëve t’u jepet mundësia që me votë të vendosin se kush do ta udhëheqë vendin. “Nëse oferta e kryeministrit është serioze, nuk ka arsye për vonesa, arsyetime apo kalkulime politike”, porosisin nga BDI.
Me këtë, opozita shqiptare ia kthen ofertën Mickoskit në një sfidë të drejtpërdrejtë: nëse pushteti është vërtet i bindur në mbështetjen që gëzon, atëherë të hapet rruga për zgjedhje. “Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje”, përfundon BDI.



