
Ministria e Financave dhe Enti Shtetëror i Revizionit po avancojnë bashkëpunimin dhe koordinimin ndërinstitucional me qëllim ndërtimin e një sistemi më të sigurt, më efikas dhe më të përgjegjshëm të financave publike. Sot, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska dhe kryerevizori shtetëror, Maksim Acevski nënshkruan memorandum bashkëpunimi midis dy institucioneve.
Dimitrieska-Koçoska theksoi se nënshkrimi i sotëm i Memorandumit të bashkëpunimit me Entin Shtetëror të Revizionit përforcon partneritetin që lidh kapacitetet e ekspertëve, teknike dhe analitike të dy institucioneve kryesore në mbrojtjen e parave të qytetarëve dhe krijon bazë më të fuqishme institucionale për veprim të përbashkët në parandalimin dhe zbulimin e parregullsive, mashtrimeve dhe veprimtarive korruptive.
“Ministria e Financave dhe Enti Shtetëror i Revizionit konfirmojnë përcaktimin më të qartë politik dhe profesional për institucione të fuqishme, menaxhim të përgjegjshëm të mjeteve publike dhe tolerancë zero ndaj korrupsionit.
Ky partneritet nuk është vetëm hap administrativ, por është reformë thelbësore, e cila krijon bazën për koordinim më të mirë, transparencë më të madhe dhe mbrojtje më efikase të mjeteve publike. Detyrimi ynë është që çdo denar i mjeteve buxhetore vendore, si dhe çdo euro nga fondet evropiane, të shpenzohen në përputhje me ligjin, në mënyrë të destinuar, të përgjegjshme dhe në interes të qytetarëve”, theksoi ministrja gjatë nënshkrimit të memorandumit.
“Nënshkrimi i këtij memorandumi paraqet vendosjen e sistemit të pakompromis të sinergjisë institucionale, i cili, përmes zbatimit konkret të standardeve ndërkombëtare të revizionit dhe operacionalizimit të rrjetit AFKOS, garanton që çdo denar i obliguesve tatimor të mbrohet nga parregullsitë dhe mashtrimet. Me këtë bashkëpunim, jo vetëm që e vendosëm transparencën dhe llogaridhënien në nivelin më të lartë, në harmonizëm me vlerat evropiane, por drejtpërdrejt përmirësojmë edhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët, duke siguruar që mjetet e obliguesve tatimor të shfrytëzohen në mënyrë të destinuar, me qëllim ofrimin e shërbimeve cilësore, në kohë dhe të mënyrë të vazhdueshme për qytetarët”, deklaroi kryerevizori shtetëror Acevski.
Iniciativa për memorandumin e bashkëpunimit midis dy institucioneve është rezultat i praktikës së mirë në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe krijon kornizë për bashkëpunim në disa fusha me interes të përbashkët, mundëson shkëmbimin e përvojave, njohurive dhe të dhënave, përmirësimin e kapaciteteve profesionale dhe zbatimin e standardeve evropiane.
Memorandumi do t’u mundësojë të dyja institucioneve që të shkëmbejnë njohuri dhe përvoja përmes takimeve të punës, punëtorive, konferencave, seminareve, trajnimeve dhe formave të tjera të zhvillimit profesional. Të punësuarit e Entit Shtetëror të Revizionit do të jenë në gjendje të marrin pjesë si trajnues në trajnimet e organizuara nga Ministria e Financave përmes Sektorit – Akademia e Financave Publike, ndërsa ekspertët nga Ministria e Financave do të jenë në gjendje të kontribuojnë në programet për zhvillimin e vazhdueshëm profesional të të punësuarve të Entit Shtetëror të Revizionit.
Parashikohet gjithashtu shkëmbim i rregullt i literaturës profesionale, standardeve të kontabilitetit dhe revizionit, doracakëve metodologjike, programeve vjetore për aktivitetet e revizionit, si dhe raporteve përfundimtare të revizionit dhe planeve aksionale të përgatitura nga subjektet publike. Me këtë memorandum parashikohen aktivitete për të rritur ndërgjegjësimin publik për parandalimin dhe njohjen e parregullsive dhe mashtrimeve.



