OpinionTopLajm

Zgjedhjet e një shndërrimi të domosdoshëm

Udhëkryqet historike nuk janë gjendje të trumbetuara dhe të stërpërsëritura si parulla. Përkundrazi, janë akumulime dhe artikulime vullneti politik, që kërkon një ndryshim, që kërkon denjësinë e vet në një moment të caktuar historik. Kosova, tashmë, ndodhet përpara këtij momenti dhe këto zgjedhje duhet, realisht, të ofrojnë një gjendje tjetër shndërrimi kualitativ në gjithë pluralitetin politik të saj. Këto zgjedhje duhet të ofrojnë një logjikë tjetër qeverisjeje në përputhshmëri me pritjet e qytetarëve të Kosovës, një predispozitë tjetër për të shikuar nga e ardhmja pa dëshpërimet e zakonshme dhe përtej fitoreve dhe humbjeve. Këto zgjedhje do të duhet të fuqizojnë shtetformësimin e pandalshëm të Kosovës.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Kosova ndodhet, tashmë, para një sfide të re zgjedhore. Më 14 shkurt pritet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ky vendim, qeverinë e udhëhequr nga Avdulla Hoti, e cilësoi të jetë e zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, për shkak të një vote të një deputeti të dënuar me vendim të shkallës së prerë. Ky vendim realisht pritej, sidomos po të kihet parasysh fakti që qeveria Hoti po funksiononte me një legjitimitet të brishtë dhe të kontestuar, ndërkohë që ngërçi politik dhe institucional dita-ditës po bëhej më i theksuar. E vetmja rrugë për t’i dhënë fund një qeverie të kontestuar, që tashmë po mbijetonte në bazë të konfigurimeve jo të natyrshme politike, ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme nëpërmjet të cilave partitë politike në Kosovë do të kërkonin edhe njëherë besimin e tyre për vizionin e tyre politik te sovrani, gjegjësisht te elektorati i Kosovës.

Siç dihet tashmë, këto zgjedhje po mbahen në një kohë kur Kosova ndodhet në një udhëkryq historik për të ardhmen e saj. Dhe, ky vlerësim mbase mund të tingëllojë joreal, por në esencë në sfond ka një trajektore politike shtetformimi dhe një momentum shndërrimi politik dhe shoqëror, që i bënë këto zgjedhje të mos jenë të zakonshme, por të jenë një pikë kthese në gjithë atë që nënkupton legjitimitet demokratik dhe rrugëtim i qëndrueshëm drejt orientimit euroatlantik.

Janë dy momente që i bëjnë këto zgjedhje të veçanta. Siç dihet tashmë, Kosova ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë në Uashington në praninë të, tashmë, ish presidentit të SHBA Donald Trump. Gjithashtu, kemi një proces gjyqësor për ish-krerët e UÇK-së, të cilët do të mungojnë në këto zgjedhje në pozicionet e tyre politike. Marrëveshja me Serbinë, e nënshkruar në Uashington dhe procesi gjyqësor ndaj ish krerëve  të UÇK-së, janë dy momente që rikonfigurojnë një kontekst krejt tjetër në këto zgjedhje, por edhe shtrojnë si imperativ një vizion politik shtetformues të qëndrueshëm në raport me evoluimet politike gjeostrategjike në të ardhmen.

Edhe pse akoma nuk dihet deri në fund se cili do të jetë qëndrimi përfundimtar i administratës amerikane të udhëhequr nga presidenti aktual, Joe Baden, sinjalet e para janë se kjo marrëveshje konsiderohet e mirëqenë. I nominuari për pozitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka folur me tone pozitive për angazhimin e administratës së presidentit amerikan Donald Trump në lidhje me raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë një seance të konfirmimit të mbajtur në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan, ai ka theksuar se janë një sërë çështjesh që administrata e presidentit Trump ka bërë jashtë kufijve, të cilat ai i duartroket.

“Ju përmendet edhe punën që është bërë për Kosovën dhe Serbinë. Unë e duartrokas atë. Presidenti i zgjedhur ka kaluar shumë kohë në këto vende në të kaluarën dhe mendoj se ndan bindjet për gjërat që mund të bëjmë për të ndihmuar Kosovën që të lëviz përpara dhe gjithashtu me shpresë edhe Serbinë”, ka theksuar Blinken. Pa dyshim që edhe në këtë prononcim mund të lexohet ndër rreshta angazhimi permanent i SHBA-ve ndaj Kosovës dhe ky angazhim, pa diskutim, shpresohet të jetë shumë më i fuqishëm dhe me frytdhënës me presidentin e ri Joe Biden.

Sigurisht, që kjo marrëveshje, por edhe gjithë planimetria e raporteve me SHBA-në do të varen edhe nga vizioni i brendshëm politik, i cili pritet të strukturohet në këto zgjedhje të parakohshme. Mbi të gjitha, pritet që këto zgjedhje të jenë të qeta dhe konform standardeve europiane. Pikërisht këto janë edhe pritjet e Bashkimit Europian për këto zgjedhje. Menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, zëdhënësja e Komisionit Europian për zgjerim dhe fqinjësi, Ana Pisonero, ka theksuar se u takon qytetarëve  të Kosovës që ta zgjedhin lidershipin e vet, ndërsa për BE-në është e rëndësishme që zgjedhjet të jenë transparente dhe gjithëpërfshirëse. “Ne jemi në dijeni për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 14 shkurt. Bashkimi Europian pret zgjedhje të besueshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë, të zhvilluara në përputhje me standardet europiane, në mënyrë që Kosova të lëvizë përpara. Ajo gjithashtu ka theksuar se “Bashkimi Europian do të vazhdojë të jetë i angazhuar në Kosovë, për të promovuar agjendën e integrimeve europiane dhe reformave të domosdoshme”.

Pas një tranzicioni të lodhshëm me shumë ngërçe institucionale dhe me shumë defekte funksionimi, duket se Kosova po ndodhet para një sprove të re politike shndërrimi. Sipas shumë analizave, vlerësimeve dhe referencash, Kosova nuk ka arritur që të konsolidojë një jetë institucionale, që do t’u përgjigjej pritjeve të qytetarëve të saj. Brenda kohës ka pasur një zhgënjim të jashtëzakonshëm të qytetarëve me mënyrën e udhëheqjes së shtetit, ndërkohë që vazhdimisht janë adresuar çështjet e korrupsionit, mungesës së transparencës dhe defekteve të tjera, të cilat kanë krijuar një ngërç shoqëror të përgjithshëm. Pikërisht kjo trajektore zhgënjimi politik duket se ka krijuar dinamika të tjera politike dhe një moment shndërrimi që pritet të reflektohet në këto zgjedhje. Sipas të gjitha vlerësimeve dhe indikacioneve, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, bashkë me Vjosa Osmanin, pritet të dalë fituese në këto zgjedhje. Duket tashmë se në Kosovë ka një vullnet ndryshimi për të lënë në opozitë partitë që kanë udhëhequr deri më tash me Kosovën. Sidoqoftë, mbetet të pritet deri në ditën e zgjedhjeve për të parë se si do të përcaktohet elektorati i Kosovës dhe si do të jenë numrat për formimin e qeverisë së ardhshme.

Pavarësisht nga fituesi i këtyre zgjedhjeve, përpara shtetit të Kosovës ndodhen sfida të mëdha, të cilat kërkojnë një bashkërendim politik, një vizion gjithëpërfshirës institucional për të ridimensionuar pozicionin e Kosovës në raport me zhvillimet ndërkombëtare dhe rajonale. Ky ridimensionim kërkon një rinisje politike dhe institucionale në këtë dekadë jashtë skemave banale të grindjeve të zakonshme politike. Kjo nënkupton një evoluim të domosdoshëm politik dhe institucional në drejtim të përbrendësimit të vlerave demokratike, të standardeve të diktuara nga bashkësia ndërkombëtare si një predispozitë për të fuqizuar subjektivitetin shtetëror në arenën ndërkombëtarë, një proces i patjetërsueshëm që shkon krahas me funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës.

Kosovës, pa diskutim, i duhet një moment shndërrimi demokratik, politik dhe, përgjithësisht, institucional jashtë fitoreve dhe humbjeve në këto zgjedhje, për shkak se imperativi historik i trajektores së Kosovës e imponon këtë gjë në raport me gjithë planimetrinë gjeopolitike që shfaqet e ngatërruar edhe me shumë të panjohura përbrenda. Jo vetëm qeveria e ardhshme si bartëse e vullnetit politik të dalë nga zgjedhjet, por edhe gjithë aktorët e tjerë shoqërorë, ndodhen përpara një imperativi kategorik për të tejkaluar format paraprake të politikbërjes dhe qeverisjes, në mënyrë që t’u përgjigjen sfidave të shumta që ndodhen përpara në rrafshin e konsolidimit të brendshëm politik dhe demokratik dhe në rrafshin e gjeostrategjive që në Kosovë shfaqen të komplikuara.

Kosovës i duhet një shndërrim kualitativ, një kapërcim i antagonizmave shterpe, për të përmbushur kështu parakushtet një afirmimi vendimtar të shtetformësisë së vetë si një e drejtë legjitime historike që buron nga vullneti i popullit të Kosovës. Këto zgjedhje nuk duhet të prodhojnë vetëm një qeveri të re. Përkundrazi, duhet të prodhojnë edhe një mendësi dhe vizion të ri për shtetin e Kosovës, për qytetarët e saj dhe për fatin e saj në konstelacionet dhe konstantat shtetformuese në arenën ndërkombëtare.

Udhëkryqet historike nuk janë gjendje të trumbetuara dhe të stërpërsëritura si parulla. Përkundrazi, janë akumulime dhe artikulime vullneti politik, që kërkon një ndryshim, që kërkon denjësinë e vet në një moment të caktuar historik. Kosova, tashmë, ndodhet përpara këtij momenti dhe këto zgjedhje duhet, realisht, të ofrojnë një gjendje tjetër shndërrimi kualitativ në gjithë pluralitetin politik të saj. Këto zgjedhje duhet të ofrojnë një logjikë tjetër qeverisjeje në përputhshmëri me pritjet e qytetarëve të Kosovës, një predispozitë tjetër për të shikuar nga e ardhmja pa dëshpërimet e zakonshme dhe përtej fitoreve dhe humbjeve.

Në këtë kontekst shndërrimi kualitativ mund të shihen edhe ndikimet te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, në kontekstin e një vullneti për ndryshim, për të ridimensionuar perceptimin dhe pritjet politike. Në raportet shtetërore, Kosova dhe Maqedonia e Veriut pritet që të intensifikojnë bashkëpunimet, të cilat do të determinohen nga një impenjim shumë më i madh i BE-së dhe gjithë sfidave që nënkupton procesi i integrimeve në rajonin e Ballkanit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close