
I pyetur nga TV21, kryeministri Zoran Zaev i është përgjigjur liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela i cili dje në Click Plus tha se për shkak të tragjedisë në Tetovë duhet të japë dorëheqje edhe kryeministri.
“Nuk kam ndonjë koment shtesë vetëm do të them se është i obliguar që të tregojë se pse. Nëse nuk tregon se pse, atëherë vetëm tregon se ka dëshirë për pushtet”, tha Zaev, transmeton TV21.
Në pyetjen më vonë se a mendoi Zaevi që të japë dorëheqje për shkaqe morale, ai u përgjigj: Pse, që të jetë Mickoski kryeministër?
“Pse, që të jetë Mickoski kryeministër? Nuk mendova. Nuk mendova. Sepse do të jenë kryeministër apo zëvendëskryeministër kryetari i Aleancës kur do ta meritojnë. Kur do të kenë empati me popullin. Kur do të jenë këtu që të ndihmojnë. Kur do të japin ide dhe jo kështu fatkeqësinë të përdorin në mënyrën më perfide dhe në mënyrën më të keqe”, tha Zaev.
Sela duke komentuar deklaratën e Zaevit ku thotë se “do të presë hetimet dhe pastaj do të vendos për dorëheqjet”, në Click Plus tha:
“Nëse ky (Zoran Zaev) e paska aq të rëndësishëm Venko Filipçen, le të shkojë bashkë me të”.
Për shkak të tragjedisë në Tetovë, ku nga zjarri që shkrumboi Qendrën Kovid humbën jetën 14 persona, dorëheqje si akt përgjegjësie morale kanë ofruar ministri dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe Ilir Hasani dhe dy drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi.
Dorëheqjet janë deponuar dhe arkivuar tashmë në Qeveri, por nuk janë dorëzuar në Kuvend, pasi kryeministri Zaev ka deklaruar se do të presë epilogun e hetimeve për shkaqet e zjarrit dhe më pas do të vendos për dorëheqjet.



