LajmeMaqedoniTopLajm

Zaev ofron ministrinë e arsimit dhe atë të sociales, Gashi kërkon bujqësinë dhe kulturën

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe lideri i Alternativës, Afrim Gashi, ende nuk janë ulur zyrarisht për të biseduar për kyëjen e kësaj të dytës në Qeveri, mirëpo kombinatorikat me resoret vetëm kanë filluar. Zyrtarisht dy partitë thonë se fillimisht do të merren vesh për parimet e qeverisjes dhe për orientimet strategjike të qeversë. Nga Alternativa poashtu bëjnë të ditur se Gashi në bisedë telefonike ka njoftuar Zoran Zaevin se para se të ulet në tavolinë me të, do të takohet me Ziadin Selën dhe Hristijan Mickoskin, për t’i informuar në lidhje me ftesën e kryeminmistrit që t’i bashkohen Qeverisë.

Mirëpo Zhurnal nga burime të veta mëson se përkundër vullnetit të madh për të përfshirë Alternativën në qeveri, për momentin LSDM dhe Alternativa janë në frekuenca të ndryshme kur bëhet fjalë për resorët ministrore. LSDM do ti fillojë negociatat me ofertë për një ministri dhe një zëvendës ministri ose drejtori të fuqishme, por nga Alternativa që në start do të kërkojnë dy ministri. Nga partia e Afrim Gashit thonë se nuk lëshojnë pe nga kjo kërkesë, sepse pesha e tyre politike në këtë moment dhe në këto rrethana është shumë më e madhe se para dy viteve.

Nga LSDM thonë se “nëse vjen puna” për tia dhënë Alternativës dy ministri, atëherë do tua ofrojnë arsimin dhe politikën sociale. Kjo përputhet me shkrimet e disa mediumeve se Zaev ka ndërmend të “pastrojë hesape” me krahun e Radmilla Shekerinskës, ku bëjnë pjesë edhe ministrja e arsimit, Milla Carovska dhe ajo e punës dhe politikës sociale, Jagoda Shahpaska. Duke ia ofruar këto dy ministri Alternativës, Zaev do të ketë një alibi më tepër për të larguar nga qeveria Carovskën dhe Shahpaskën në “mënyrë të kulturuar”.

Mirëpo kërkesat e Alternativës ndryshojnë nga oferta e LSDM-së. Burimet e Zhurnal thonë se Alternativa ngul këmbë për të marë Minsitrinë e Bujqësisë, ku vendi i ministrit ka mbetur i zbrazët me dorëheqjen e Arianit Hoxhës së Lëvizjes Besa, si dhe kthim të Ministrisë së Kulturës, ministri që e ka udhëhequr partia e Gashit edhe në qeverinë e kaluar. Nga Alternativa paralajmërojnë se do të kërkojnë edhe drejtori të rëndësishme, por mbi të gjitha marrëveshje që garanton se zgjidhjet kadrovike që do të dakordohen të realizohen menjëherë, e jo të zvarriten si herën e kaluar, kur disa edhe nuk u realizuan fare.

Sido që të jenë kërkesat, Zaev e ka të rëndësishme në këtë moment të ketë në radhët e qeverisë edhe Alternativën me katër deputetë, përtë larguar “stresin” se me ikjen e një deputeti mund të mbetet pa shumicë, kurse me ikje eventuale të dy deputetëve mund të kalojë në opozitë.

Si do të reagojë krahu partiak i Radmilla Shekerinskës dhe si BDI-ja?

Edhe pse mediumet shkruajnë se ka filluar përplasja mes krahut të Zoran Zavit dhe krahut të Radmilla Shekerinskës, zyrtarisht mbretëron qetësi. Ministrja e arsimit Milla Carovska, e përfolur shumë si pjesë e “krahut partiak të Shekerinskës”, deklaroi sot se është në duart e mandatarit ri-formatimi i qeverisë dhe se është kryeministri ai i cili vendos se cili nga anëtarët e kabinetit të tij duhet të largohen dhe cilët të mbeten.

“Është pikërisht kryeministri i cili do të vendos se kush shkon e kush mbetet në Qeveri. Unë kam mandat dhe do të vazhdoj me punën time, përpjekjet e mia për të realizuar reformat në arsim, deri në momentin që mandatari nuk vendos ndryshe, në të kundërtën unë do të respektoj vendimin e mandatarit.

Unë mandatin tim e marr nga Kuvendi me propozim të mandatarit, gjithnjë derisa kjo është kështu unë do të vazhdoj punën time dhe përpjekjet e mia për të realizuar punët e mia që më janë besuar nga qytetarët. Por në rast se ky është vendim i mandatarit, dhe në rast se ai mendon se ndërrimi është në të mirë të qytetarëve, unë do ta pranoj. Gjithsesi se në rast se ka ndërrime, ato vijnë me propozim të mandatarit”, tha Carovska.

Deklarata e saj reflekton qetësi, mirëpo në prapaskenë situate ende “vlon” dhe ende kërkohet përgjegjësi nga kryetari i partisë, Zoran Zaev, për humbjen në zgjedhjet lokale. Pikërisht për të amortizuar këto kërkesa, Zaevit i nevojitet në këto momente zgjerim i shumicës parlamentare. Krahu i Shekerinskës insiston që të gjithë nënkryetarët e partisë të tërhiqen nga postet ministrore që mbajnë në qeveri, mirëpo problem paraqet ministri i shëndetësisë Venko Fillipçe, njeri i afërt me kryeministrin, nga shërbimet e të cilit Zaev nuk është i gatshëm ende të heq dorë.

Larg brengave të rikonstruimit të ministrave për momentin është Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Kjo parti nuk do të ndryshojë asnjërin prej ministrave atual, mirëpo me probleme përballet në eshalonet më të ulëta, sepse me humbjen e Tetovës mbetet e “pasistemuar” nënkryetarja e partisë, Teuta Arifi dhe ekipi i saj, që me siguri tani do të kërkojë “hise” në ekzekutiv. A do të gjejë Ahmeti ndonjë vend për ta në ekzekutiv, eventualisht për Teuta Arifin në diplomaci, ose do t’i falënderojë për “bashkëpunimin e deritanishëm” mbetet të bëhet e qartë brenda dy javëve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close