LajmeSport

Vllaznia hesht për objektivat

Teksa numërimi mbrapsht për nisjen e sezonit 2026-27 po hyn në fazën e tij vendimtare, në kampin e Vllaznisë bie në sy një detaj i veçantë. Nëntë herë kampionët e vendit nuk po nxitojnë të shpallin objektivat për edicionin e ri, duke preferuar të mbajnë një profil të ulët në prag të startit të kampionatit.

Gjatë javëve të fundit, pjesëtarë të ndryshëm të stafit teknik janë pyetur vazhdimisht nga gazetarët për synimet e skuadrës. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka dhënë një përgjigje konkrete.

Përkundrazi, të gjithë kanë zgjedhur të shmangen me diplomaci, duke përdorur pothuajse të njëjtën shprehje: “Do ta shohim rrugës për të përcaktuar objektivat.” Një përgjigje që tashmë është kthyer në një klishe, por që duket se pasqyron filozofinë e klubit në këtë moment.

Ky qëndrim nuk duket aspak rastësor. Pas një sezoni ku pritshmëritë ishin të mëdha, por fundi rezultoi zhgënjyes, në Shkodër nuk dëshirojnë të krijojnë një atmosferë euforie apo presioni të panevojshëm. Fillimisht synohet ndërtimi i një skuadre sa më konkurruese dhe konsolidimi i grupit, ndërsa objektivat madhorë pritet të marrin formë vetëm pasi kampionati të ketë hyrë në rrjedhën e tij. Edhe merkatoja e verës është menaxhuar me kujdes, ndërsa stafi teknik vijon punën për të integruar afrimet e reja dhe për t’i dhënë identitet ekipit.

Pikërisht për këtë arsye, te Vllaznia preferojnë që fusha të flasë përpara deklaratave, duke mos u ngarkuar me premtime që mund të rrisin presionin që në javët e para të sezonit. Mbetet për t’u parë nëse kjo strategji do të japë efektet e dëshiruara. Një gjë është e sigurt: në Shkodër askush nuk dëshiron të bëjë premtime të bujshme.

Të paktën për momentin, Vllaznia ka zgjedhur të ecë me qetësi, larg zhurmës dhe euforisë, me bindjen se përgjigjet më të mira do të vijnë në fushën e lojës.

SULMI – Edhe pse kampionati i ri është gjithnjë e më pranë, duket se sulmi mbetet reparti që i jep më shumë mendime stafit teknik të Vllaznisë. Në ndeshjet e fundit miqësore, kuqeblutë kanë krijuar raste, por efikasiteti përpara portës nuk ka qenë në nivelin e pritshëm, duke lënë ende vend për përmirësim para nisjes së sezonit.

Dyshja Bekim Balaj–Perez, që aktualisht shihet si alternativa kryesore në repartin ofensiv, nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në miqësoret e zhvilluara së fundmi. Edhe pse të dy kanë lëvizur mirë dhe kanë qenë të përfshirë në lojën sulmuese të skuadrës, goli ka munguar, një statistikë që nuk mund të kalojë pa u vënë re.

Në veçanti, vëmendja mbetet te Bekim Balaj. Sulmuesi me përvojë pritet të jetë sërish lideri i repartit ofensiv, por deri tani nuk ka mundur të zhbllokohet. 35-vjeçari nuk arriti të shënonte as në dy sfidat zyrtare të Conference League ndaj Malishevës, ndërsa edhe në ndeshjet përgatitore ka mbetur larg golit. Sigurisht, eksperienca e tij mbetet një vlerë e shtuar për ekipin, por Vllaznia ka nevojë që kapiteni të rikthehet sa më shpejt te goli.

Nga ana tjetër, edhe Perez ende nuk ka dhënë atë që pritej në aspektin e finalizimit. Sulmuesi ka treguar dëshirë dhe angazhim në fushë, por ende nuk ka arritur të konkretizojë rastet që i janë krijuar.

Me startin e kampionatit vetëm pak ditë larg, stafi teknik do të shpresojë që dyshja titullare të fitojë ritmin dhe besimin e nevojshëm për të qenë vendimtare në ndeshjet zyrtare. Koha për korrigjime ende ekziston, por është e qartë se rritja e efikasitetit në sulm është një nga prioritetet kryesore të Edi Martinit. Nëse Vllaznia synon të jetë protagoniste këtë sezon, golat e sulmuesve pritet të kenë një peshë të madhe në rrugëtimin e skuadrës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close